BATMAN, 6 gusht /ATSH-AFP-AA/ – Autoritetet turke zhvendosën sot, gjatë një operacioni spektakolar dhe të milimetruar, një hamam historik prej 1 500 tonësh, për ta shpëtuar nga përmbytjet, në kuadër të një projekti kontraversal.
“Zhvendosja e hamamit të Artuklu-së, ndërtuar më shumë se 650 vjet më parë në lokalitetin e Hasankeyf (juglindje), në brigjet e lumit Tigre, ka moblizuar mjete të jashtëzakonshme”, sipas një korrespondenti të AFP-së.
“Një hamam turk i shekullit të 13-të u zhvendos në një vend tjetër për ta shpëtuar nga përmbytjet pas hapjes së një dige të re në Turqinë Juglindore”, njoftoi agjencia e lajmeve Anadolu Agency.
Hamami me peshë prej 1 500 tonë, i epokës Artukide, filloi të zhvendoset me transportues SPMT me 256 rrota në orët e para të mëngjesit në një park kulturor në qytezën Hasankeyf në provincën Batman.
Hamami u tranportua rreth tre kilometra larg nga vendndodhja e tij.
“Gjashtë monumente të tjera do të transportohen gjithashtu. Hasankeyf do të mbrojë identitetin e saj historik”, theksoi guvernatori i Batmanit,Ahmet Deniz.
Rezervuari ujor i krijuar nga projekti i digës Ilisu do të përmbytë një pjesë të Hasankeyf-it, që gjendet 32 kilometra në juglindje të kryeqendrës së provincës Batman, raporton ATA.
Qyteza Hasankeyf u shpall një zonë e mbrojtur në vitin 1981. Rreth qytezës ekzistojnë gjashtë mijë shpella që përmbajnë mbetje të ritualeve krishtere dhe muslimane, si dhe një fortesë bizantine.
Transporti i hamamit përfundoi pas më shumë se gjashtë orëve.
Komente











