Një 20-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi kërcënoi një 31-vjeçar për t’i marrë borxhin e pretenduar prej 600 000 lekë

I arrestuari është identifikuar si Daniel Damzi.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, për administrimin e kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte kanosur me armë zjarri, për dhënien e një shume parash, u finalizua operacioni i koduar “Pretendimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi D. D., 20 vjeç, banues në Tiranë.

20-vjeçari dyshohet se ka kanosur me armë zjarri, 31-vjeçarin, për t’i marrë 600 000 lekë që pretendon se ky i fundit ia ka borxh. Nga kontrolli në banesën e shtetasit të arrestuar, u gjetën armë zjarri (pistoletë) me municion dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë, për babanë e 20-vjeçarit, shtetasin Sh. D., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, 31-vjeçarin, për të njëjtin motiv.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Lajm në përditësim…

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë