PUSTEC-Një i ri është arrestuar nga policia pasi pas një konflikti kërcënoi me armë zjarri dy persona, babë e bir. I arrestuari është Mario Berberi 27 vjeç, banues në Bilisht. Sipas policisë dje në fshatin Liqenas në Pustec 27-vjeçari u konfliktua me N.S. 43 vjeç dhe djalin e tij D.S. 15 vjeç duke i kanosur të dy këta me një armë sportive tip pistoletë dhe më pas është larguar me shpejtësi me automjetin e tij.
Pas sinjalizimit policia është vendosur në ndjekje të tij duke e arrestuar në Korçë dhe gjatë kontrollit iu gjet arma tip pistoletë me një krëhër me fishekë, pa leje, ndërsa po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Berberi është person me precedent penal i arrestuar edhe për parë për disa vepra penale, mes tyre për kontrabandë mallrash. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kanosja”, “Vetëgjyqësia”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Komente

