Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis nuk po heq dorë nga paralajmërimet ndaj fqinjëve të tij. Teksa ka shfrytëzuar ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet për Parlamentin Europian, kreu i qeverisë Helene nuk harroi pa përmendur Shkupin dhe Tiranën.

Gjatë fjalimit në sheshin kryesor të Athinës, Sintagma, Mitsotakis i kujtoi Tiranës dhe Shkupit se rruga për në Bashkimin Europian kalon nga Athina.

“Pas të dielës qeveria greke nuk duhet të konsumohet në diskutime për përqindjet elektorale, por duhet të jetë në gjendje të vazhdojë politikën e një Greqie të fortë, duke i dërguar mesazhin fqinjëve tanë veriorë, se rruga e Shkupit dhe e Tiranës për në Bruksel domosdoshmërisht kalon nga Athina. Dhe se vetëm respektimi i ligjshmërisë dhe traktateve ndërkombëtare mund të japë dritën jeshile”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.

Ndërsa për sa i përket Turqisë, Mitsotakis kërkoi përcaktimin e “shelfit continental” dhe përcaktimin e Zonave Ekonomike Ekskluzive.