Vlorë - Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë në Vlorë pasi kërcënuan një 30-vjeçar për t’i marrë 30 mijë euro. Ngjarja u regjistrua një ditë më parë, ndërsa kallëzimi në Komisariat u bë nga 30-vjeçari.
Sipas këtij të fundit Alteo Grabovaj 26 vjeç, Mahmut Balikci 22 vjeç dhe Mehmet Hoxha 29 vjeç me armë zjarri me vete e kanë kërcënuar për t'i marrë shumën e parave teksa ishte duke qëndruar në një lokal.
Përveç kanosjes të rinjtë i morën shënjestrës së tyre makinën tip 'BMW' deri në dhënien e parave të kërkuara.
Njoftimi i policisë:
Pas kallëzimit nga një 30-vjeçar, se dje, në një lokal, e kishin kanosur për t’i marrë një shumë parash, 3 shtetas, të cilët dyshohet se kishin armë zjarri me vete, dhe më pas i kishin marrë automjetin, deri në dhënien e parave të kërkuara menjëherë është ngritur një grup i posçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera, si administrimi i provave dhe kryerja e veprimeve hetimore me metoda proaktive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Seksionit Operacional, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike”, në kuadër të të cilit u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimit i 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve:
-A. G., 26 vjeç, M. B., 22 vjeç dhe M. H., 29 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, mesditën e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, kanë kanosur 30-vjeçarin K. S., banues në Vlorë, që t’iu jepte 30 000 euro, më pas i kanë marrë automjetin e tij tip “BMW” dhe janë larguar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











