Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka njoftuar se Këshilli i Ministrave do të miratojë një dekret Mbretëror me të cilin do të nisë një proces i jashtëzakonshëm ‘sistemimi’ për gati gjysmë milioni emigrantë në vend.

Mediat e huaja raportojnë se Sanchez e përshkroi këtë iniciativë si një hap drejt normalizimit dhe drejtësisë, duke zgjedhur të mos e mohojë apo anashkalojë realitetin e pranisë së këtyre njerëzve në vend.

Sanchez tha se emigracioni është thelbësor për ekonominë e Spanjës, veçanërisht për sfidat e lidhura me plakjen e popullsisë dhe nevojën për forcë punëtore, që sipas tij, nuk mund të zëvendësohet vetëm nga teknologjia dhe automatizimi.

“Kombinimi i integrimit të mirë, organizimit efektiv dhe shfrytëzimit të potencialit të plotë të emigrantëve është rruga përpara”, u shpreh kryeministri spanjoll, i cili shtoi se të drejtat duhet të shoqërohen me detyrime dhe kontribut të barabartë në shoqëri.

Sanchez e pranoi se emigracioni mund të sjellë sfida. Por ato sipas tij, zgjidhen më mirë përmes legalizimit dhe menaxhimit të përgjegjshëm.

“Sot kemi dy rrugë: të mbjellim frikë dhe të dënojmë mijëra njerëz, ose të menaxhojmë emigrimin me përgjegjësi dhe ta shndërrojmë në prosperitet të përbashkët. Spanja gjithmonë ka zgjedhur rrugën e dytë dhe e bëjmë përsëri sot”, përfundoi Sanchez.