Gjykata Kushtetuese njoftoi sot (19 Dhjetor) se ka përfunduar shqyrtimin e ankimimit të depozituar nga biznesmeni i arrestuar Pëllumb Gjoka, për dosjen "Metamorfoza", ku kërkon pavlefshmërinë e përgjimeve të platformës SKY ECC ku u bazua hetimi dhe operacioni për dosjen.
Kushtetuesja deklaron se pas përfundimit të këtij shqyrtimi të ankesës, është tërhequr për të marrë vendim, të cilin më pas do ia njoftojë palëve.
Gjoka, i arrestuar bashkë me të tjerët për përfshirjen në organizatë kriminale dhe drejtim të saj, kryesisht me aktivitet në Shkodër dhe Tiranë, kërkoi shfuqizimin e vendimit të GJKKO, të datës 23 dhe 29 Korrik 2023, që e linte atë dhe të tjerët në paraburgim me akuzat përkatëse. Gjithashtu edhe vendimin e lënë në fuqi nga Apeli i GJKKO më 31 Gusht të vitit të kaluar dhe Gjykata e Lartë më 22 Dhjetor 2023.
Ankimimi i Gjokës mësohet se ka qenë individual, teksa janë administruar të gjitha dokumentet dhe provat e dorëzuara nga palët. Ankimimi dhe caktimi i seancës u njoftuan më 6 Nëntor 2024. Por kjo padi ishte dorëzuar nga avokatët që prej muajit Shtator.
Së fundmi në GJKKO pati një debat mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës nëse bëhej fjalë për përgjime apo dokumente, e teksa mbrojtësit e të pandehurve pretenduan se në gjyq.
Materialet e ardhura nga Franca e Belgjika me qindra fashikuj në përmbajtje të të cilave ka komunikime të grupeve kriminale, janë përdorur nga SPAK për të kryer një sërë arrestimesh, duke pretenduar zbardhjen e dhjetëra ngjarjeve kriminale.
Më 8 Nëntor SPAK bëri me dije se kaloi për gjykim dosjen ndaj biznesmenit Gjoka dhe 6 të tjerëve.
Në bankën e të akuzuarve do të ulen dhe ish-kampioni i boksit Astmer Bilali, Oltion Bistri, ish-shefi i Operacionales, Xhevahir Lita, ish-prokurori i Kukësit, Edmond Preka, shoferi i Pëllumb Gjokës, Behar Brajoviq (Bajri) dhe ish-zyrtari i policisë Ardrit Hasanbegajn.
Njoftimi i Kushtetueses:
"Në datën 19.12.2024 Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën gjyqësore të çështjes me kërkues Pëllumb Gjoka dhe objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. Shfuqizimi i shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm”.
Gjykata shqyrtoi ankimin kushtetues individual, kërkesat dhe aktet e tjera të paraqitura nga kërkuesi, prapësimet e subjekteve të interesuara dhe aktet e paraqitura prej tyre dhe pasi administroi të gjitha provat e paraqitura nga palët, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit. Vendimi do t’u komunikohet palëve sipas rregullave dhe afateve ligjore".
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese