Vendimi i Qeverisë/ Kreu i SPAK, GJKKO dhe i BKH-së me eskortë jashtë vendit dhe deri në 2 vjet pas mbarimit të mandatit! Masa edhe për sigurinë e familjarëve

Tirane- Rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, Artan Tafanit se Laert Haxhiu do të vriste prokuroren e SPAK Doloreza Musabelliu dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për shkak se e kishin hetuar më herët, përveçse tronditën opinionin publik detyruan agjencitë e sigurisë në vend të marrin masa të veçanta për mbrojtjen tyre.

Gjithashtu kjo dëshmi u bë shkas dhe i parapriu ndryshimeve të kuadrit ligjor dhe VKM-vë që lidhen me mënyrën se si do të mbrohen prokurorët e SPAK, gjyqtarët e GJKKO dhe hetuesit e BKH.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e së enjtes, (28 dhjetor) ndryshimet në VKM-në që i garanton sigurisë e prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm.

Nëse më parë mbrojtja gjyqtarëve të GJKKO, prokurorëve të SPAK dhe drejtorit të BKH bëhej vetëm mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga vetë ata, tashmë mund të ofrohet edhe në bazë të kërkesës që bëhet nga kryetari i gjykatës ose kreu i SPAK.

Garantimi i mbrojtjes së kryetarëve të gjykatave, drejtuesit të SPAK dhe drejtorit të BKH nuk bëhet më nëpërmjet shoqërimit me oficer dhe nënoficer, por me truprojë të nivelit bazë dhe të mesëm, gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe pas përfundimit të tij në një afat jo më shumë se 2 vjet pas përfundimit.

Me ndryshimet e reja, mbrojtja gjyqtarëve dhe prokurorëve garantohet me shoqërim me një truprojë të nivelit të mesëm dhe në raste të veçanta dhe me kërkesë të tyre edhe gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit, ku u garantohet shoqërimi me truprojë të nivelit të mesëm.

Një përfaqësues i Gardës së Republikës shtohet në komisionin e posaçëm që vlerëson kërkesën për mbrojtje të posaçme të zëvendësdrejtorit apo hetuesve të BKH, i cili në përbërje të tij ka edhe 5 përfaqësues të tjerë nga SPAK, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, BKH dhe Policia e Shtetit.

Me ndryshimet e reja nuk përdoret më termi oficer por truprojë. Për të mbrojtur gjyqtarët e GJKKO, prokurorët e SPAK, dhe familjarët e tyre në rast se do të jetë e nevojshme, shtohet numri i punonjësve të Gardës së Republikës.

***

V E N D I M

PËR

 DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të                                 ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas fjalisë së parë, të pikës 2, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Mbrojtja personale mund të ofrohet edhe në bazë të kërkesës së thjeshtë të paraqitur, sipas rastit, nga kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.”.

2. Në pikën 3 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:

a) Togfjalëshi “oficer nënoficer” zëvendësohet me fjalët                                  “… truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm …”.

b) Në fund të pikës shtohen fjalët “… gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 vjet pas përfundimit të tij.”.

3. Pas pikës 3 shtohen pika 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:

“3/1. Mbrojtja personale e gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme garantohet me shoqërim me një truprojë të nivelit të mesëm.

3/2. Në raste të veçanta dhe me kërkesë të tyre, subjekteve të parashikuara në pikën 3, gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit u garantohet shoqërimi me truprojë të nivelit të mesëm.”.

4. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Masat shtesë për mbrojtjen e veçantë personale të familjes dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme në rast të rrezikut për jetën, shëndetin e tij/saj ose familjes dhe pasurisë përcaktohen dhe jepen sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit.”.

5.  Në pikën 8, pas fjalëve “… një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit …” shtohen “… një përfaqësues nga Garda e Republikës së Shqipërisë …”.

6. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“12. Truprojat e gjyqtarëve, prokurorëve, familjeve dhe banesave të tyre caktohen dhe zëvendësohen vetëm pasi të jetë marrë, paraprakisht, miratimi i kryetarit të Gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.”.

II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:49
Garda hap garën, 70 truproja më shumë për të ruajtur gjyqtarët e prokurorët

1703862207_gardaerepubliks.JPG

Për të plotësuar numrin për ruajtjen e njerëzve të drejtësisë, Garda e Republikës e rrit numrin e organikës me 70 gardistë më shumë.

Me vendim të qeverisë tashmë organika e plotë e gardës shtohet me 70, duke shkuar në 1.505 gardistë, pikërisht për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm.

Për të shkuar tek ky numër, disa ditë më parë Garda e Republikës ka hapur edhe garën ku të interesuarit mund të aplikojnë.

Ora 16:43
Vendim qeverisë/ Garda merr në mbrojtje zyrtarët e AKSHI-t dhe Autoritetit për Sigurinë Kibernetike

1703865047_gardaerepubliks.JPG

Këshilli i Ministrave është mbledhur ditën e sotme për herë të fundit për miratimin e disa vendimeve të rëndësishme, mes tyre edhe për përcaktimin e personaliteteve shtetërore që do të merren në mbrojtje nga Garda e Republikës.

Përveç organeve të SPAK dhe GJKKO, mbrojtja është shtuar edhe për Agjensinë Kombëtare të Informacionit (AKSHI) dhe Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 29/12/2023 21:12

    Ca gare hap ke mashtroni, jane te gjithe me mik shoqeruesit ne spak e personalitete te gjithe miqte e komandatit nga tepelena e nivica e delvina, gjirokaster e lumi vlores.. Te tjeret punojne kot neper objekte e drejtori e banesa roje, Pune e mira i kane zene me te pa afte me hajdute pusetash Me njerez qe plagosin vehten dhe shoket Me grabites fshatare, ska njerez profesional ne garde Qe punon aty ku i takon, se ka vene gramozi me militantet e vet cdo idiot te mundshem e pijaneca ordiner neper drejtim neper vende kyçe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë