Sindikata e Gardës së Republikës ka bërë thirrje për rritje pagash, pas ndërhyrjes së qeverisë në rritjen e rrogave të policisë.
Sindikata thotë se ka 25 vjet që Garda nuk vlerësohet dhe është zhdukur diferenca prej 15 mijë lekësh me institucionet e tjera të sigurisë. Kërkesa është që Sektori i Financës të paraqesë urgjentisht në ministri programin e detajuar.
Argumentet ku mbështeten për rritjen e pagave janë presioni, gatishmëria dhe vështirësia e detyrës, si dhe toleranca zero për të gabuar.
“Kujtesë
Struktura e Gardës së Republikës nuk mund të lihet në "harresë" financiare!
Në vijim të postimit tonë zyrtar të mëparshme; “Thirrjen për dialog në rritjen e pagës”, i rikujtojmë Sektorit të Financës dhe strukturave përgjegjëse të paraqesin urgjentisht pranë “Ministrisë së Financës” programin e rritjes së pagave për punonjësit e Gardës të detajuara.
Nuk mund të pritet më! Që nga viti 2001, Institucioni i Gardës së Republikës nuk vlerësohet siç duhet. Ajo që historikisht ka qenë një diferencë meritore prej +15,000 lekësh ndaj institucioneve tjera të sigurisë sot është shkrirë, duke cenuar dinjitetin ekonomik të punonjësve tanë.
Pse kjo rritje është e padiskutueshme?
--Profesioni ynë është gjithmonë me "vizë të kuqe": Presioni, gatishmëria dhe vështirësia në shërbimin tonë janë maksimale në çdo sekondë.
Zero tolerancë për gabime: Në profesionin tonë nuk duhet dhe nuk ka kurrë "herë të parë" kur bëhet fjalë për cenimin apo rrezikimin e Personaliteteve të Lara Shtetërore, vendas apo të huaj. Siguria e tyre është imazhi i vetë shtetit shqiptar.
Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet. Presim reflektim dhe hapa konkretë nga strukturat përgjegjëse!”, thuhet në postimin e ndarë në rrjete sociale.
Në një postim të mëparshëm, kanë cilësuar se paga bazë në Gardë mbetet në kuotën 73,500 lekë. Duke i krahasuar me nivelin bazë me përvojë në Forcat e Armatosura, paga arrin mbi 82,000 lekë.
Në projektbuxhetin 2027, qeveria ka parashikuar rritje pagash për rreth 8500 punonjës policie, nga 10-20 mijë lekë të reja duke nisur nga 1 janari. 3.3 mld lekë janë parashikuar vetëm për rritjen e rrogave të efektivëve.












Komente
Komento