Këshilli i Legjislacionit u mblodh ditën e sotme për prezantimin e raportit për shqyrtimin e kërkesës së një deputetëve të Partisë Demokratike, për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshit.

Në mbledhjen e kryesuar nga socialistja Aurora Bylykbashi, demokratët akuzuan drepërdrejtë Peleshin për njëanshmëri në kryerjen e detyrës së kryetarit të Kuvendit.

Ata thanë se që në seancat e para të Parlamentit, Peleshi ka favorizuar mazhorancën, duke mos i ndëshkuar deputetët në rastet e shkeljes së rregullores nga ana e tyre.

Por, sipas opozitës parlamentare, një standard tjetër është mbajtur për ta.

“Kanë qenë 3 ose 4 nga njëri grup dhe po aq nga ana tjetër. Nga ana juaj ishte dhe kryeministri, që njerëzit i përmendi babën njërit, mirë që e njeh babën si institit. Kryetari i Kuvendit duhet të merrte masa për të gjithë. Ajo ideja që do të thoni që PD do kaos, jo, s’e di pse, nuk është e vërtetë”,- tha deputeti Arjan Ndoja

“Unë nuk shoh që kaosi erdhi prej opozitës, sepse ashtu siç zoti Ndoja e përmendi, po t’i referoheshit nenit 76 të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit duhet të jetë i paanshëm në momentin që merr drejtimin e Kuvendit”,- u shpreh deputeti Gjin Gjoni

Nga ana tjetër, deputetët socialistë mohuan pretendimet e opozitës, duke shtuar se kryeparlamentari Peleshi nuk mund të tolerojë kaosin në Kuvend. Ndërsa në rastin kur ai kaloi në votim pa u bërë diskutimi për programin e qeverisë, PS thotë se kreu i Kuvendit ka detyrimin të gjejë mekanizmin zhbllokues për të çuar deri në fund votimin.

“Unë mendoj se kaosi mohon problemet e qytetarëve. Unë jam me parimin që deputeti të flasë ç’të dojë në parlament, për sa kohë nuk shkel dinjitetin e tjetrit. Kur shumica e opozitës prishte rendin në sallë, kryetari i Kuvendit detyrohej të merrte masa”,- tha deputeti socialist Damian Gjiknuri.

Raportet e dy palëve nuk u miratuan në Këshillin e Legjislacionit, pasi PD kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me argumentet e socialistëve, ndaj para se të shkohet në seancën plenare për të votuar apo jo shkarkimi i Peleshit, Legjislacioni do të mblidhet sërish.

Lajm në përditësim...