Ish-deputeti Spartak Braho ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimin ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se çështja tashmë është në proces hetimi dhe nuk ndikohet nga vendimi që pritet nga Gjykata Kushtetuese më 22 janar.
“A do e lëshojë Rama Ballukun? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Po pas datës 22 çfarë do bëjë Rama? Çështja është në hetim, sido që të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ajo nuk po shqyrton fajësinë apo pafajësinë. Çështja nuk kthehet mbrapsht. Në mos në janar, në shkurt, në mars, kjo çështje do të shkojë në hetim dhe gjykata përkatëse do të shprehet për fajësinë apo pafajësinë”, tha Braho.
Braho i cilësoi kërkesat e PD-së për qeveri teknike si shashka dhe komentoi edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për mbajtjen në detyrë të Ballukut.
“Kërkesat e Partisë Demokratike për qeveri teknike janë shashka në ajër. Rama, deri tani, ngarkohet moralisht, por nuk dimë a ngarkohet penalisht. Moralisht ai nuk e sheh të udhës të japë dorëheqjen. Kur të dënohet Balluku… atëherë… të gjithë skenarët dhe qëndrimet janë në lojë, por janë në vullnetin politik, moral dhe ligjor të Edi Ramës”, deklaroi Braho.
Ai ironizoi edhe skenarët ekstrem të Berishës për arrestimin e kryeministrit të cilët nisën pas rrëzimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
“A do munden forcat Delta të shkojnë në Surrel të kapin Ramën zvarrë siç kapën Maduron? Me urdhrin dhe mendjen e Berishës do shkojnë?! Janë ëndrra!. Berisha nuk mund të japë urdhra”, tha Braho.
Lajmi kryesor:
Krimi shtetëror i 21 janarit, Braho për Report TV: Serverat nuk janë fshirë, i rikuperuan amerikanët, brenda 3 muajve Berisha në burg!











