Në një kohë kur digjitalizimi po përparon me shpejtësi dhe pasiguritë janë shtuar, kërkimi ekonomik bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm, për të identifikuar sfidat e për të marrë masa për të garantuar stabilitet ekonomik, monetar dhe financiar.

“Për bankat qendrore, kërkimi ekonomik nuk është thjesht një veprimtari akademike, por një instrument thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme dhe marrjen e vendimeve të informuara. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, lëvizjet e kursit të këmbimit, ndryshimet në tregun e punës dhe transformimet në strukturën e ekonomisë kanë sjellë sfida të reja për analizën dhe vendimmarrjen”, thotë Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, thekson se pavarësisht avancimit të teknologjisë, Inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë ekspertizën njerëzore.

“Teknologjia duhet të mbetet në shërbim të analizës dhe vendimmarrjes. Inteligjenca artificiale mund të përmirësojë instrumentet tona analitike, por nuk mund të zëvendësojë ekspertizën, gjykimin profesional dhe përgjegjësinë institucionale”, deklaron guvernatori.

Në 2 dekada studiuesit e Bankës së Shqipërisë kanë bërë 200 punime kërkimore, përfshirë 18 analiza në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, të cilat thotë Sejko kanë trajtuar çështje me rëndësi për ekonominë dhe shoqërinë, si gjendja financiare e familjeve shqiptare, aksesi në financim, tregu i banesave, digjitalizimi i sistemit bankar dhe edukimi financiar.

“Analizat dhe studimet tona kanë ndihmuar në identifikimin e rreziqeve dhe në hartimin e masave që kanë mbështetur përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë dhe uljen e ndjeshme të kredive me probleme”, tha Sejko.

Në edicionin e 20-të të Workshop-it të Kërkimit Ekonomik që organizoi Banka e Shqipërisë me temë “Politika monetare, stabiliteti financiar dhe inteligjenca artificiale në një botë me pasiguri të lartë” u vendos që të krijohet një seri dokumentesh kërkimore në bashkëpunim me studiues të huaj, të cilët do të kenë akses edhe në të dhënat e Bankës së Shqipërisë për studime më të thelluara mbi ekonominë shqiptare dhe krahasime me ekonomitë e rajonit.