Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi prej më shumë se dy vitesh ishte në kërkim për disa vjedhje të rënda në provincën e Padovës. Sipas mediave italiane, ai ishte dënuar me dy vite burg, por kishte arritur t’i shpëtonte policisë duke ndryshuar qytete dhe duke qëndruar pa adresë fikse.

Gjithçka mori fund pas një tjetër vjedhjeje në një banesë në Minerbio, në zonën e Bolonjës. Mes sendeve të vjedhura kishte edhe kufje wireless me GPS, të cilat u bënë çelësi për identifikimin e tij. Pronari i banesës denoncoi vjedhjen dhe falë lokalizimit të kufjeve, karabinierët arritën të gjurmonin vendndodhjen e tyre pranë spitalit “Sant’Orsola”. Pak më vonë, 36-vjeçari u gjet pranë një lokali dhe gjatë kontrollit iu gjetën kufjet e vjedhura.

Kur u pyet nga policia, shqiptari pretendoi se i kishte blerë vetë kufjet, por nuk arriti të shpjegonte as ku dhe as kur. Pas verifikimeve dhe gjurmëve të gishtave, autoritetet zbuluan se bëhej fjalë për personin e shpallur në kërkim prej vitit 2024. Ai u arrestua menjëherë dhe tashmë ndodhet në burg për të vuajtur dënimin prej dy vitesh, ndërsa kufjet iu kthyen pronarit. Veç burgut, 36 vjeçarit do i duhet të paguajë edhe një gjobë prej 700 eurosh.