Ilkay Gundogan nuk do e ketë të lehtë regjistrimin te Barcelona. The Athletic shkruan se kampionët në fuqi të Spanjës duhet të arkëtojnë të paktën 50 milionë euro nga shitja e ndonjë lojtari. Drejtuesit katalanas janë të detyruar të kryejnë një operacion të rëndësishëm në dalje për të regjistruar mesfushorin gjerman në La Liga, kjo për shkak të Fair-Play Financiar.
Pak ditë më parë ish-kapiteni i Manchester City-t firmosi për dy sezone me kampionët e Spanjës, duke thënë se ishte ëndrra e tij të luante me Barcelonën dhe të stërvitej nga Xavi. Mirëpo tani Barça po has sërish vështirësi për regjistrimin e tij në federatë, me lojtarin që firmosi deri në 2025 me të drejtë rinovimi edhe për një sezon.
400 milionë euro është klauzola për largimin e turko-gjermanit, me këtë të fundit që sezonin e fundit me Man. City-n fitoi tripletën, përfshirë edhe Champions League, duke mundur 1-0 Interin në finalen e Stambollit.