Kërkohet arrestimi i Alqi Bllakos nga SPAK, PS: S'jemi avokati i askujt, nesër në 18:00 mblidhet Këshilli i Mandateve për të vendosur! Ja si jepet autorizimi nga Kuvendi 

Partia Socialiste nuk do të jetë avokatja e askujt që përballet me drejtësinë edhe pse është nga radhët e saj. Këtë e bëri të qartë kreu i grupit parlamentar të PS, në një deklaratë pas mbledhjes së grupit të zhvilluar te Vila 31. Taulant Balla tha se kërkesa e SPAK për Kuvendin për të lejuar arrestimin e deputetit Alqi Bllako do të shqyrtohet nesër në orën 18:00 nga Këshilli i Mandateve. Për Ballën operacioni i SPAK në inceneratorin e Fierit, tregon funksionimin e reformës në drejtësi, ndërsa tha se nga kuvendi nuk do të ketë asnjë vonesë lidhur me procedurat që duhet të ndiqen.

PS e ka thënë që nuk do të jetë asnjëherë zyrë avokatore për askënd brenda saj që vendoset në përballje me drejtësinë. Sapo kryetarja e kuvendit ka thirrur nesër në 18:00 këshillin për mandate që është institucioni që vihet në dije për këtë situatë dhe ai këshill është vënë në dijeni dhe Bllako dhe në këtë këndvështrim procedura do të vijojë pa asnjë vonesë në funksion të drejtësisë. Për ne është shumë rëndësishme që drejtësia të bëjë punën e saj. Kam komunikuar edhe me kryetaren e Kuvendit për ecjen sa më shpejt të procedurave parlamentare. Nuk ka asnjë vonesë, gjithçka do ecë sipas procedurave të përcaktuara nga Kuvendi. Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë për të çuar përpara një arritje që Shqipëria e ka të pakontestueshme, Reforma në Drejtësi që po jep rezultate”, tha Balla.

Kjo është konfirmuar edhe nga Kuvendi.

“Ju njoftoj se nesër, më datë 30.03.2022, ora 18:00, në Kryesinë e Kuvendit, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit, për shqyrtimin e kërkesës së ardhur nga SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. (Urdhër nr. 22, datë 29.03.2022, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla”, njofton Kuvendi.

SPAK kërkoi sot nga Kuvendi të lejojë arrestimin e Alqi Bllakos pasi mbi të rëndojnë akuza si ajo për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorin e Fierit. Bllako akuzohet se ka kryer veprime të kundërligjshme duke përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar 111 564 m2 , për inceneratorin e Fierit, duke paraqitur si “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”. Gjithashtu Bllako akuzohet se ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të shumës prej rreth 15 milionë lekësh të reja.

Si jepet autorizimi nga Kuvendi për arrestimin e një deputeti
Dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës parashikohet nga neni 118 i Rregullores së Kuvendit, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës.

Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokuroria. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Shqyrtimi i kërkesës vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aliu: 30/03/2022 08:22

    Dmth sa ore keni ne dispozicion ti beni presion shokut Alqi qe te dorehiqet edhe nga deputetlleku! Imuniteti nuk ka problem se nje gjethe fiku e keni por u dhemb cilesia kur te pritet fleta e arrestit: Alqi Ballko, profesioni deputet i PS ne Kuvend... i shtojet listes se deputeteve Mark, Frrok, Ndue, Tom, Kak, qe i pati PS skalion te pare ne 2013 e me pas. Kuptohet rekoŕdin e mban Saja.

    Përgjigju
  • Redi: 29/03/2022 19:00

    Sa bukur PS dhe kryemjeshtri i korrupsionit Rama. E deshi Meten dhe LSI me Monen per te mbajtur Bashkine. Sidomos kur zhvati karrigen ku rri ne 2013. Dhe pastaj nisi operacionin e shperberjes duke blere nje e nga nje depitetwt ose personat me ndikim ne LSI si Noket, Nacot, e hakdute te tjere qe kishte e ka LSI. Tani qe po futen ne burg lan duard si ponc pilati. Ne fakt prokuroria ose gazetaria duhet te hetojne ore cfare u premtoi Rama kur i rekrutoi? Ky eshte skandali dhe krimi me i madh, korrupsioni politik dhe kapja e shtetit.

    Përgjigju
    • Loni: 29/03/2022 19:50

      Ketu ka vetem lloqe e perralla pa mbret! Spak kolera e gripq shpendesh! Asgje tjeter! Zhurme si perhere seriali vazhdon!

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë