Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi ditën e sotme se pavarësisht se kishin kaluar 15 ditë nga kërkesa e tij drejtuar SPAK për të marrë informacion lidhur me çështjen McGonigal’, ende nuk ka marrë asnjë përgjigjie zyrtare.

Në deklaratën për mediat, sa i takon kërkesave të tij të bëra ndaj institucioneve për McGonigal, deputeti tha se ministria e Brendshme në përgjigjien e kthyer sqaronte se asnjë zyrtar i kësaj dikasteri nuk kishte pasur takime me ish zyrtarin e lartë të FBI-së.

Ndërsa sa i takon kërkesës së bërë ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror për informacion mbi ish zyrtarin e FBI-së, Salianji tha se në përgjigjien e kthyer, thuhet se ky institucion i përgjigjet vetëm kryeministrit Edi Rama.

“Prej një muaji të gjithë mediat ndërkombëtare kanë vendosur në fokus aferën Rama-McGonigal. Të gjitha institucionet për shkak të frikës ndaj Ramës kanë frikë të kthejnë përgjigjie. Në kuvend me urdhër të Ramës është bllokuar kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor. Institucionet janë vendosur në shërbim të tij. Po i përdor si kamzhik politik”-tha Salianji.

Në mbyllje të deklaratës së tij, Salianji tha se edhe nisma e PS për hapjen e dosjeve rezultoi një farsë politike pasi në përgjigjiet që Autoriteti i Dosjeve i kishte vënë në dispozicion, bëhet me dije se hapja e dosjeve nuk do ndërmerret për deputetët.

“Farsa me hapjen  e dosjeve ishte një lojë politike. Insitucionet përdoren, dhe parlamentet dhe autoriteti përdoren për luftën e kundërshtarit politik dhe nuk ka hapje dosjesh. Kur nuk happen dosjet për deputetët, nëse kanë qenë pjesë e ish sigurimit të shtetit, tregon që ky është një porcëes nul dhe farsë”-përfundoi Salianji.