TIRANE- Kreshnik Spahiu, aktualisht kryetar i partisë Aleanca Kuq e Zi padit në gjykatë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ish numri dy i këtij institucioni ka dorëzuar sot padinë në Gjykatën e Tiranës. Shkak për këtë padi është bërë një akt normativ i zyrës së Financavë në KLD sipas të cilit i kërkohet Spahiut që të kthejë mbrapsht shumën prej 2 100 Eurosh të shpenzuara prej tij gjatë një udhëtimi në Kosovë.

Në kërkesën padinë e dorëzuar në gjykatë Spahiu kërkon shfuqizimin e këtij akti normativ si të pabazuar në ligj.  Çështja civile mban nr. 13135 dhe se është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës ditën e sotme. Ndërkohë që gjyqtari i çështjes është zgjedhur gjyqtari Shkelqim Mustafa. Pak kohë më parë Kreshnik Spahiu dha dorëheqje nga institucioni i KLD-së, duke u vënë në presion nga ngritja e komisionit hetimor të bërë nga ana e parlamentit. Në fund të konkluzjoneve të këtij hetimi, komisioni doli në përfundimin se Kreshnik Spahiu kishte abuzuar me detyrën. 

KOMISIONI HETIMOR PER SPAHIUN
Në përfundim të hetimeve dy mujore, më 27 shkurt të vitit që shkoi, komisioni hetimor pwr veprimtarinw e Kreshnik Spahiut si nënkryetar i KLD-sw, mazhoranca kërkoi ndjekje penale ndaj tij. Sipas kryetarit të këtij komisioni Enkelejd Alibeaj, Spahiu ka devijuar nga institucioni kushtetues, ka shpërdoruar postin, ka trajtuar me negativitet cështjen e Censusit si dhe ka tentuar të cënojë marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Në raportin prej 11 faqesh, mazhoranca nënvizonte se ish-nënkryetari i KLD-sw ka abuzuar me detyrën me vendimmarrjet në KLD dhe ka zvarritur çështje të organizmit gjyqësor. Sipas fakteve të mbledhura nga deputetët demokratë, ish numri dy i KLD-së ka kryer 15 udhëtime jashtë shtetit me shpenzimet e institucionit pa njoftuar.

Për të gjitha këto argumenta, komisioni hetimor deklaroi se do të kërkojë ndjekjen penale të Spahiut dhe për këtë qëllim raporti krahas Kuvendit, do t’i kalojë edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të bërë të mundur kthimin e parave me të cilat, sipas PD, Spahiu ka abuzuar gjatë kësaj kohe.

(jd/shqiptarja.com)