TIRANË- Adriatik Llalla nuk do t’i shpëtojë dënimit me 2 vite burg për fshehje pasurie. Kërkesa e ish Prokurorit të Përgjithshëm për t’iu shuar vendimi i shtatorit 2021 pasi për 5 vite iu fsheh dënimit, i arratisur në Itali, nuk është pranuar nga Gjykata e Posaçme Anti Korrupsion.
Gjyqtarja Etleva Deda e rrëzoi pretendimin e Llallës se dënimi tashmë është parashkruar pasi kanë kaluar 5 vite dhe nuk është ekzekutuar. Pika C e nenit 68 të Kodit Penal thotë se vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar pesë vjet për dënime maksimumi 5 vite burgim.
Ish-kryeprokurori u dënua pranverën e vitit 2021, ndërsa Apeli i Posaçëm e la në fuqi vendimin më 22 shtator të po atij viti. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode, që lidhen me shpenzimet për lindjen e djalit, ndërtimin e katit të tretë të një banese dhe shkollimin e vajzës në Gjermani.
Krahas dy viteve burg, gjykata vendosi konfiskimin e një apartamenti në Durrës dhe të rreth 22 mijë metrave katrorë tokë në periferi të Tiranës. Llallës iu hoq gjithashtu e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.
Llalla u largua nga Shqipëria përpara se vendimi të merrte formë të prerë dhe kërkoi azil politik në Itali. Ai u arrestua atje në dhjetor të vitit 2021, por më pas u lirua për shkak të gjendjes shëndetësore, me kushtin që të mbahej nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane.










Komente
Komento