Ratko Mladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte në Bosnje-Hercegovinë, do të mbetet në burg. Presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar për Tribunalet Penale (ICTM), Graciela Gatti Santana, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e tij të parakohshëm për arsye humanitare.
Kërkesa ishte dorëzuar më 18 gusht, me argumentin se gjendja shëndetësore e Mladiç është përkeqësuar ndjeshëm. Avokatët kërkuan që ai të transferohej në një spital ose në një qendër të kujdesit paliativ në Serbi, ku të qëndronte nën mbikëqyrjen e autoriteteve serbe dhe me kushtet që do të vendoste gjykata.
Sipas raportit mjekësor të paraqitur në ICTM, Mladiç ndodhet në fazën e fundit të jetës. Mjekët kanë vlerësuar se ai mund të vdesë "në çdo moment", ndërsa kujdesi ndaj tij është përqendruar tashmë në lehtësimin e vuajtjeve.
Megjithatë, Gatti Santana arriti në përfundimin se gjendja e tij nuk përbën arsye të mjaftueshme për një masë të jashtëzakonshme si lirimi i parakohshëm. Në vendim thuhet se dinjiteti dhe trajtimi njerëzor i të dënuarit respektohen plotësisht edhe në kushtet aktuale.
Vendimi u mbështet nga tre gjyqtarë të Mekanizmit, ndërsa dy të tjerë votuan në favor të pranimit të kërkesës.
Ratko Mladiç, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, u dënua me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë në vitin 2021 për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.
Nuk është hera e parë që mbrojtja e tij kërkon lirimin për shkak të gjendjes shëndetësore, por edhe kërkesat e mëparshme janë rrëzuar nga gjykata.









Komente
Komento