Deputeti Fatmir Mediu i kërkoi kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi që t’i bëjë kërkesë Presidentit të Republikës për të thirrur urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për njoftimin e ambasadës amerikane lidhur me kërcënimin iranian në territorin e Shqipërisë.
“Unë i kërkoj Presisdentit të Republikës të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar një situatë që smund të kapërcehet thjesht me deklarime në Kuvend, as me politizimin e kësaj çështjeje. Ju kërkoj edhe ju z. kryetar që ti kërkoni presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, tha Mediu.
Mediu tha se ka 3 arsye kryesore pse duhet të realizohet kërkesa: prania e opozitës iraniane në Shqipëri, shkëputja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe miratimi i rezolutës që shpall Iranin shtet financues të terrorizmit.
“Deklarata e djeshme e ambasadaës nuk është vetëm thirrje që ka të bëjë me qytetarët amerikanë, por ka të bëjë me territorin e Shqipërisë dhe vjen nga shërbime inteligjente sau përket kërcënimeve në territorin e Shqipërisë. Them të kthehemi dhe ta mendojmë veten si vend anëtar i NATO-s, i vetmi vend që nuk arrin të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Është naive deri idioteske që të dalim me qëndrime që duke qenë vend anëtar i NATOS-s e kemi garantuar vendin tonë nga çdo gjë”, tha Mediu.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi i tha Mediu të mbajë përgjegjësi për fjalët e tij, të cilat mund të shkaktojnë panik në opinionin publik.
“Edhe unë ju bëj thirrje shumë serioze që si politikan i vjetër, me eksperiencë, të ngriheni në lartësinë e përgjegjësisë të fjalëve që thuhen këtu nga ne sepse shumë shpesh mund të jenë të frymëzuara edhe për qëllime të kapitalit politik, por kanë pasoja shumë të mëdha në opinionin publik sepse merren seriozisht, mund të shkaktojë panik dhe efekte anësore. Mirë është që thirrje të tilla serioze t’i konsultojmë në biseda jo publike”, tha Peleshi.
Lajmi kryesor:
Sulme nga Irani? Sherr në Kuvend për paralajmërimin e SHBA, opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë! Qeveria: S’ka rrezik, në kontakt me NATO












