TIRANË- Pasuritë e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës mbeten të sekuestruara. Dy kërkesa të tyre për heqjen e sekuestros u rrëzuan sot nga Gjykata e Lartë dhe GJKKO. Malltezi kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkonte heqjen e sekuestros për pasuritë në bashkëpronësi me vajzën e Sali Berishës, Argitën. Kjo kërkesë u rrëzua bashkë me atë për kthimin e qirave që Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ka marrë deri më tani.

Pak minuta më pas, GJKKO rrëzoi kërkesën për rikthimin e 25 pasurive të tjera të Malltezit, me vlerë 5.4 milionë euro, edhe ato të sekuestruara pas hetimeve për aferën e privatizimit të ish-klubit Partizani. Dhëndri i Sali Berishës kërkoi kthimin e pasurive me argumentin se nuk kishte para për të jetuar, por në seancën e 2 prillit u kundërshtua nga SPAK.

Prokurorët e Posaçëm, Kraja dhe Millonai thanë se çifti ka disa pasuri të tjera që nuk i janë sekuestruar, përfshirë 4 apartamente në 4 prej qyteteve më të shtrenjta të Europës, Mynih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest. Edhe për apartamentin super të shtrenjtë ku banon Malltezi në rrugën “Mustafa Matohiti”, prokurorja tha se sekuestroja është vetëm masë sigurimi dhe ai vazhdon të jetojë aty.

Report Tv ka raportuar më herët se vetëm në emër të Jamarbër Malltezit, të deklaruara, janë 35 pasuri në Shqipëri me vlerë dhjetëra miliona euro, në një kohë kur të sekuestruarat janë vetëm 5.4 mln euro.

Në procesin për aferën Partizani, Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, pasi dyshohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:29
Kërkonte heqjen e sekuestrove mbi 25 pasuri me vlerë 5.4 milionë euro, Gjykata e Posaçme rrëzon dhëndrin e Berishës

1775568667_dxtyutfiooop.jpg

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezit, për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tij.

Jamarbër Malltezi kërkoi në 2 prill në Gjykatën e Posaçme kthimin e 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK e GJKKO, me argument se nuk ka para për të jetuar.

Avokati i tij deklaroi se llogaritë bankare të Malltezit janë bosh. Por SPAK i kujtoi Malltezit se i ka sekuestruara vetëm një pjesë të pasurive të tij dhe shumë të tjera nuk janë.

Katër apartamente në zonat më luksoze në 4 prej qyteteve më të shtrenjta të Evropës rezulton të ketë Jamarbër Malltezi, por në GJKKO dhëndri i Berishës tha se s'ka para për të jetuar në Tiranë.

Apartamentet në Mynih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest, vlera e të cilave kalon miliona euro, Jamarbër dhe Argita Malltezi nuk i kishin deklaruar, por u zbuluan vetëm pas hetimeve të SPAK dhe nuk janë të sekuestruara, pasi prokuroria u mjaftua me pronat që kapnin vlerën e 5.4 milionë eurove, aq sa dyshohet se ai përfitoi nga afera korruptive e privatizimit të ish-klubit Partizani.

Më herët ditën e sotme, edhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi për heqjen e sekuestros së pasurive që ka në bashkëpronësi me Argita Berishën.

Çifti Malltezi-Berisha kishin kërkuar edhe kthimin e qirave që Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ka marrë deri më tani, por edhe kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata e Lartë.

---------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë