/ATSH-AFP/ - SHBA-ja kërkon riforcimin e bashkëpunimit me Pakistanin për sigurinë, për t'i ardhur në ndihmë në luftën kundër kryengritësve talebanë, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një konferencë shtypi në Islamabad.

Pas disa vitesh presion nga SHBA-ja, ushtria pakistaneze nisi në muajin qershor një ofensivë të gjerë në Waziristanin e Veriut, zonë fisnore në kufi me Afganistanin, bërë që prej një dekade epiqendra e lëvizjes xhihadiste rajonale.

"Duhet t'i japim mbështetje forcave pakistaneze për operacionet që kanë ndërmarrë në Waziristanin e Veriut dhe në rajonet përreth. Bëhet fjalë për një punë të vështirë dhe kjo punë nuk ka përfunduar", deklaroi Kerry.

"Ne kemi të gjithë përgjegjësinë që këta ekstremistë të mos mund të shkelin në këtë vend dhe në rajonet përreth", shtoi ai.

Si kundërpërgjigje e kësaj ofensive, talebanët pakistanezë të TTP-së sulmuan më 16 dhjetor një shkollë në Peshawar, frekuentuar kryesisht nga fëmijët e ushtarakëve duke vrarë 150 persona, 134 prej të cilëve fëmijë.