Opozita braktisi sallën e Këshillit Bashkiak Durrës gjatë mbledhjes së sotme, ndërsa pritej të hidhej në votim propozimi për projektligjin e ri për reformën territoriale, të hartuar nga Partia Socialiste.

Gjatë fjalës së tyre, këshilltarët e PD-së dhe PL-së parashtruan kundërshtitë e tyre për reformën e re, duke theksuar se ndarja territoriale ka larguar gjithnjë e më shumë qytetarin nga shërbimet që ofron pushteti vendor.

Në të njëjtën kohë, ata kërkuan që në mbledhje të prezantohej edhe propozimi i bërë nga Partia Demokratike, në mënyrë që këshilltarët të kishin një kuadër më të qartë të të dyja propozimeve.

Propozimi për reformën e re territoriale i bërë nga PS-ja parashikon që në shkallë vendi numri i bashkive të reduktohet nga 61 që janë aktualisht, në 46.

Propozimet e reformës nuk prekin Bashkinë Durrës, por gjatë fjalës së tyre, disa këshilltarë socialistë dhe përfaqësues të partive aleate kërkuan që Manza dhe Sukthi, të cilat dikur kanë qenë bashki, të rikthehen si njësi me status qyteti.

Projektvendimi për shprehjen e pëlqimit për reformën territoriale kaloi me votën e 28 këshilltarëve të majtë, të pranishëm në sallë. Pesë pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicë votash. Ndërkohë jashtë godinës së bashkisë, një numër i vogël qytetarësh po protestonin kundër ndryshimeve.