Këshilli Bashkiak Sarandë ka kundërshtuar njëzëri kërkesën e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Sarandë për rritjen e tarifave të ujit dhe kanalizimeve. Për ujin kërkohej rritja e tarifës nga 60 lekë për metër kub, që është aktualisht, në 65 lekë për metër kub, pa TVSH.

Gjatë shqyrtimit u evidentua edhe një mospërputhje në mënyrën e paraqitjes së kërkesës. Ndërsa ajo i ishte drejtuar këshillit si çështje për diskutimin e tarifave të reja, në përmbajtjen e dokumentit kërkohej miratimi i tyre.

Qëndrimi kundër u shpreh që në fillim të mbledhjes nga këshilltarët e majtë. Ata u bënë thirrje të pranishmëve të mos largoheshin nga salla, në mënyrë që të ruhej kuorumi i nevojshëm për vijimin e mbledhjes dhe këshilli të shprehej kundër kërkesës së ujësjellësit, pasi grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike mungonte në bllok. Krahas këshilltarëve të majtë, në mbledhje merrnin pjesë disa këshilltarë të pavarur dhe përfaqësues të partive të vogla.

Në argumentet e tyre, këshilltarët theksuan se Saranda, Ksamili dhe zonat përreth vijojnë të furnizohen me ujë vetëm disa orë në ditë. Situata rëndohet gjatë verës, kur mungesat e theksuara detyrojnë banorët dhe bizneset të sigurojnë ujë me mënyra të tjera, duke përballuar shpenzime shtesë.

Këshilltarët e cilësuan të paargumentuar kërkesën për rritjen e çmimit në kushtet e këtij shërbimi. Në përfundim të diskutimeve, të gjithë të pranishmit mbështetën dërgimin e një përgjigjeje refuzuese ndaj Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Sarandë.