TIRANE- Ndryshimi i mazhorancës në këshillin bashkiak të Tiranës ka kohë që ka turbulluar fuknsionimin e këtij organi vendimmarrës për punët e bashkisë së kryeqytetit. Të majtët, pas bashkimit me ta edhe të këshilltarëve të LSI, kanë 32 vota në këtë këshilli, ndërsa të djathtët vetëm 23 vota.
 
Këshilli bashkiak i Tiranës është kthyer në “mollë sherri” mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë në këtë bashki. Madje këtë javë përplasja është finalizuar edhe me njoftime nga të majtët e të djathtët për mbledhje paralele të këshillit bashkiak. Në fakt, Aldrin Dalipi, i cili është zgjedhur si kreu i këshillit bashkiak në mbledhjen e 3 majit, por që të djathtët nuk e njohin, ka njoftuar në fillim të kësaj jave, se mbledhja e radhës do të mbahet me datë 18 tetor, në orën 18:00 me rend dite zëvendësimin e pesë anëtarëve të këshillit bashkiak që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Emri i Aldrin Dalipit, në krye të këshillit bashkiak të Tiranës, ka marrë tashmë edhe firmën e prefektit Sadi Vorpsi, duke e legjitimuar krejtësisht atë. E megjithatë, të djathtët, të cilët tashmë janë në minorancë, kanë thirrur dje mbledhjen e këshillit bashkiak, me anë të një sms-je që nënkryetari Zamir Ndroqi u dërguar këshilltarëve, mbledhje në të cilën janë paraqitur vetëm 23 përfaqësuesit e djathtë. Mbledhja, kishte si rend dite të gjitha projektvendimet e mbledhjes së datës 26 shtator, që dështoi, nuk ka mundur të zhvillohet pasi nuk kishte kuorumin e nevojshëm. Në mbledhjen e djeshme, Njazi Kosovrasti njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Këshillit, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës në këtë këshill, pas bashkimit të këshilltarëve të LSI-së me ata të PS-së.

“Me synimin që të përmirësojmë klimën e komunikimit dhe mbarëvajtjen e punëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tu shërbejmë sa më mirë qytetarëve të kryeqytetit, unë kam njoftuar në 26 shtator, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës njoftoj dorëheqjen nga detyra”- ka deklaruar Kosovrasti. Por në të vërtetë kjo është cilësuar si një gjest pa vlerë nga ana e socialistëve, pasi dorëheqja duhet të ishte dhënë katër muaj më parë. “Dorëheqja e ish kryetarit të shkarkuar Kosovrasti dhe "leksioni ligjor", janë pa vlerë.

Qytetarët e Tiranës nuk dëgjuan ndjesën për 4 muaj pa këshill, - ka shkruajtur në rrjetin social “Facebook”, Aldrin Dalipi. - Keq ardhje për një veprim të minorancës në këshillin bashkiak ku në vend të rrugës së bashkëpunimit gjejnë rrugën e provokimit duke shpërndarë njoftime emocionale mediatike për një gjoja mbledhje paralele të këshillit bashkiak. Këshilltarët e majtë i ftojnë t’i kthehen logjikës së arsyes dhe funksionimit në bazë të ligjit. Kryefjala e 32 këshilltarëve të këshillit bashkiak që përbëjnë një shumicë të fortë në numra përballë 23 të opozitës është bashkëpunimi.

Vetem dialog dhe bashkëpunim, transparencë në të mirë të qytetit dhe qytetarëve. Të premten ora 18:00 mbledhja e këshillit në sallën e këshillit bashkiak. T’i kthejmë qytetit këshillin dhe jo inate pa vlerë ndaj njëri-tjetrit me mbyllje dyersh, protokolli e vulash, thirrje mbledhjesh pa mbledhje. Tirana pret të bëjmë më të mirën sëbashku...”,- përfundon Dalipi.
 
‘Shkrirja’ e këshillit
Për socialistët thirrja e djeshme e mbledhjes së këshillit bashkiak është vetëm një tentativë për ta shkrirë këtë këshill. Kjo pasi sipas tyre, kjo është e treta herë kur mbledhja e këshillit bashkiak dështon pasi nuk është e pranishme shumica, dhe ata mund të kërkojnë shpërbërje të këshillit bashkiak 

 
Ligji, kur shpërndahet këshilli bashkiak
 
Sipas ligjit nr.8652 për “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, në nenin 38 përcaktohet se: Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave kur: nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore; nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji; kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve. Këshilli komunal ose bashkiak  shpërndahet edhe kur bëhet riorganizim me ndryshim kufijsh.  


Shkrimi u publikua sot (18.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)