Këshilli i Europës feston 70 vjetorin

Këshilli i Europës feston 70 vjetorin

Ishin 10 shtete europiane ato që më 5 Maj 1949 në Strasburg vendosën të bashkoheshin me qëllimin „e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët europiane." Rivendosja e paqes, demokracisë, stabilitetit në Europë pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore ishte prioriteti kryesor europian - në të njëjtën kohë planifikohej thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ndihma për çështjet sociale. Këshilli i Europës ka për detyrë të zhvillojë afrimin mes vendeve anëtare, thuhet në statutin e organizatës.

„Detyrimi për një bashkim europian nuk është fat pësues për Europën. Por më shumë një impuls krijues, që i përgjigjet madhështisë së traditës europiane." Kështu është shprehur kancelari i atëhershëm gjerman, Konrad Adenauer (1876-1967) më 10 dhjetor 1951 para Asamblesë këshilluese të Këshillit të Europës, vit kur Gjermania u bë anëtare e tij.

Këshilli i Europës dhe Këshilli i BE - struktura të njëjta?

Sot Këshilli i Europës ka 47 anëtarë. Vetëm tre shtete në hapësirën gjeografike të Europës nuk janë anëtarë të tij. Kosova, Vatikani dhe Bjellorusia. Këshilli i Europës ka dy organe të rëndësishme: Asamblenë Parlamentare me funksion këshillues, ku janë të përfaqësuar deputetë të vendeve anëtare dhe Komiteti Ministror që përbëhet nga ministrat e Jashtëm dhe përfaqësuesit e përhershëm diplomatikë të vendeve anëtare.

Ky institucion u shërben shkëmbimeve diplomatike dhe vendos për pranimin e anëtarëve të rinj, pezullimin e përkohshëm të anëtarësisë si edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut u krijua si institucion i pavarur nga Këshilli i Europës në vitin 1959 dhe financohet prej tij. Simbolet e Këshillit të Europës si flamuri dhe himni përdoren nga viti 1986 edhe nga Bashkimi Europian.

Këshilli i Europës nuk është i lidhur institucionalisht me BE. Shpesh ndodh që Këshilli i BE-së të ngatërrohet me Këshillin e Europës. Por Këshilli i BE është instancë e BE, që bashkon krerët e shteteve dhe qeverive të BE. Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës dallojnë mes tyre jo vetëm në numrin e anëtarëve - BE ka 28 anëtarë, kurse KE 47, - por edhe në ndikimin politik. BE ka kompetencë ligjore në tregun e brendshëm dhe mjedisit, kurse Këshilli i Europës përgatit marrëvëshje apo konventa ndërkombëtare si Konventa e Stambollit për luftimin e dhunës kundër gruas.

Ndër arritjet më të mëdha të Këshillit Europës të vitit të kaluar konsiderohen zbatimi i shpejtë i vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përveç kësaj Këshilli i Europës ka krijuar një platformë ku mund të publikohen kërcënimet ndaj gazetarëve. 

Sfidat e ardhshme të Këshillit të Europës

Në deklaratën e përbashkët të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, presidentes së Asamblesë Parlamentare, Liliane Maury Pasquier dhe kryetarit të Komitetit Ministror, Timo Soini të publikuar me rastin e 70-vjetorit të krijimit të theksohet se „70 vjet pas krijimit, Këshilli i Europës është organizata më e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut."

Por deklarata e vë theksin tek sfidat e sotme. „Tek ato renditen krahas revolucionit të inteligjencës artificiale, edhe robërimi i skllavërisë moderne e rritja e pabarazisë në shumë nga shoqëritë tona, dhe ne ende nuk e dimë, se cilat lloj problemesh do të duhet të zgjidhim në vitet e ardhshme. Një Këshill i fortë i Europës me mbështetjen e Komitetit Ministror dhe Asamblesë Parlamentare - do të shfrytëzojë aftësinë e sistemit tonë konvencional dhe vendosmërinë e shteteve anëtare - për të ofruar zgjidhje multilaterale, nga të cilat të përfitojnë të gjithë qytetarët në kontinent."

Një nga temat më të debatuara në Këshillin e Europës është aneksimi i Krimesë. Deputetët rusë bojkotojnë nga viti 2015 Asamblenë Parlamentare. Kurse nga viti 2017, Moska nuk e paguam në kontributin e saj disamilionësh për këtë organizatë. Gjermania dhe Franca punojnë për një zgjidhje, sepse ato e duan Rusinë anëtare aktive të Këshillit të Europës. DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot