Më 16 nëntor, Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë protestë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.
“Shoqata e dala nga lufta kanë vendosur që Protesta e radhës të organizohet me 16 nëntor në ora 13 para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK-së në një konferencë për media.
Më 17 tetor Tirana u kthye në kryeqytetin e shqiptarisë, ku mijëra qytetarë bënë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Komente







