Mazhoranca socialiste pranoi vërejtjet e opozitës në Këshillin e Rregullores e Mandateve dhe u tërhoq nga propozimi për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit. Vendimi u mor nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci pas kërkesës së opozitës se drafti ishte futur në rend dite pa u mbushur dy javë nga depozitimi i tij, siç parashikon rregullorja e Kuvendit.
“Unë e konsideroj të drjetë se ne jemi këshilli i rregullores që atë që thotë, në qoftë se opozita e ka këtë pretendim, jam dakord të hiqet nga rendi i ditës, të plotësohen dy javë, nuk ka asnjë nxitim. Sigurisht jemi vonë, por deri sa kemi vonuar dy vjet s’ka asnjë të keqe të rrimë edhe dy javë”, deklaron Ruçi.
Kjo ishte hera e parë që Gramoz Ruçi u kap “mat” nga opozita. Gjatë kësaj mbledhjeje edhe dy herë të tjera kreu i Kuvendit mori vendime për të cilat u tërhoq me ndërhyrjen e opozitës.
Hera e dytë qe kur e konsideroi të miratuar nenin e parë të Kodit të Etikës, edhe pse votat ishin 5 pro e 5 kundër.
“Atëherë miratohet” thotë Ruçi
Ndërsa Halimi i përgjigjet “Jo të lutem, si e miraton, sa vetë ke”?
Ruçi, “jemi pesë me pesë, do bëjmë dy relacione.”
Hera e tretë, ishte kur Gramoz Ruci filloi të shqyrtonte Kodin e Etikës nen për nen, pa bërë më parë shqyrtimin në parim. Pas ndërhyrjes së PD-së, Ruci u kthye pas në vendimmarrje.
“Kryetarë ju thatë është miratuar në parim, në fakt nuk është miratuar” shprehet Deputetja e PD Dhurata Çupi.
Diskutime pikate u zhvilluan për rreth tre orë mbi Kodin e Etikës së Deputetëve.
Strazimiri thotë se “në parlamentin shqiptarë ka më shumë të fajshëm se sa në burgun 313, nuk është çështje veshje apo mos veshje”.
“Unë e marr shumë serioze çështjen nëse ju keni vendosur ta vishni apo jo me jamamai kryeministri”, shprehet Halimi.
Manja deklaron se “kësaj i thonë hyp se të vrava, zbrit se të vrava se këto nuk kanë ndërmend të punojnë. Janari është muaj i mërzitshëm, kur flasin edhe këta kështu, hajde ç’ presin shqiptarët prej kësaj opozite”.
Në përfundim, meqë votat ishin të ndara në mënyrë të barabartë, 5 pro e 5 kundër, Këshilli do t’i dërgojë dy mendime Kuvendit, dhe do të vendosë seanca plenare.
Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com