Nënkryetari i Komisionit të Integrimit Evropian, Taulnat Balla i bëri sot thirrje opozitës që të marrë pjesë në komision për shqyrtimin e draft- propozimit për ngritjen dhe funksionimin e  Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni i cili miratoi dy projektligje, Balla bëri me dije se Ministria e  Integrimit ka dorëzuar në  komision  draft- propozimin për ngritjen dhe funksionimin e  Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian,  i cili do  të votohet më 20 shtator.

"Ky draft-propozim ka ardhur nga  qeverisë në vijim të rekomandimeve të dalë nga niveli i dialogut të lartë BE-Shqipëri. Një propozim i cili vjen nga qeveria për të qenë në drejtim i bashkërenduar, si nga mazhoranca dhe nga opozita", deklaroi Balla.

Gjithashtu, z. Balla bëri thirrje  opozitës të marrë pjesë  në komision,  për të diskutuar këtë dokument të rëndësishëm dhe mos  të përgjigjet  përmes konferencave  për shtyp.

"Ky do të jetë një institucion si Këshill Kombëtar në varësinë e Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka lidership politik në kuadër të procesit të integrimit evropian", përfundon deklaratën e tij Balla. Komisioni për Integrimin Europian mori sot në shqyrtim projektligjin "Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë"  dhe projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin "ERASMUS +" programi i BE -së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin". Pas diskutimeve, Komisioni ra dakord për kalimin dhe miratimin e tyre në seancë  plenare./ATSH/