TIRANE - Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH) do të diskutojë javën që vjen raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë të vitit dhe do të marrë vendimin për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit për lekun.
Sipas kalendarit të publikuar në faqen e Bankës Qendrore, axhenda e punimeve të Këshilli Mbikëqyrës parashikon diskutimin mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe marrjen e vendimit të politikës monetare.
Ndërsa në fokus do të jetë analiza tremujore e zhvillimeve në sektorin bankar.
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës që do të zhvillohet më 27 gusht, është e parashikuar në axhendën e përmuajshme të mbledhjeve të programuar nga BSH-ja që në fillim të vitit, ndonëse është e treta radhazi brenda muajit, pasi në dy mbledhjet e posaçme që u zhvilluan jashtë radhës, u diskutua çështja e vjedhjes se 713 milionë lekëve nga Departamenti i Emisionit të Thesarit si dhe forcimi i proçedurave dhe praktikave për ruajtjen e parasë cash.
Lidhur me çështjen e politikës monetare, Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, është shprehur se, sfidë mbetet hartimi i politikave në funksion të përmbushjes së objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Ajo përfshin ndërhyrjen dhe/ose qëndrimin e Bankës së Shqipërisë ndaj tregjeve financiare për të arritur objektivin e saj kryesor, ruajtjen e treguesve makroekonomik të vendin në periudhë afatgjatë.
Në këtë kontekst, nënvizon Guvernatori Fullani, politika monetare ka ndërhyrë në liberalizimin e normës bazë të lekut si instrument në nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e ekonomisë në vend. Banka e Shqipërisë ka ulur gjatë vitit 2014 normën bazë të interesit për lekun duke e vendosur atë në nivelin 2,50%, në minimumin e ri historik, si politikë që do të shërbejë për nxitjen e kreditimit dhe lëvizjen e zhvillimit ekonomik të vendit./ATSH/












