Këshilli politik për Reformën Zgjedhore, opozita  e bashkuar konfirmon pjesëmarrjen  

Këshilli politik për Reformën Zgjedhore, opozita  e bashkuar konfirmon pjesëmarrjen  

Punë në mirëbesim dhe respektim i 2 marrëveshjeve janë 2 kriteret e opozitës për të vijuar punën. Paprekshmëria e koalicioneve parazgjedhore si pjesë e marrëveshjes, listat e hapura 100%, rishikimi i rregullave të lojës 5 muaj para zgjedhjeve, ja të gjitha argumentet e opozitës para mbledhjes, në letrën dërguar Damian Gjiknurit, i cili ishte ai që kërkoi mbledhjen e  Këshillit Politik

"Vijimi i punës në Këshillin Politik duhet të kryhet në mirëbesim mes palëve, duke respektuar Marrëveshjet politike të nënshkruara më parë, të 14 Janarit dhe 5 Qershorit, si dhe standardet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nën këtë premisë, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e radhës, ditën e hënë, ora 18.00", shkruan ndër të tjera opoizt jashtëparlamenatre.

Letra e opozitës jashtëparlamentare

Z. Damian Gjiknuri

Përfaqësues në Këshillin Politik

Partia Socialiste e Shqipërisë

Partia Socialiste ka ndërmarrë një akt të paprecedentë të dhunimit të besimit mes palëve politike, nëpërmjet ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës për çështje që prekin zgjedhjet, në kundërshtim flagrant me Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit. Kjo gjë vjen në një kohë, kur partitë politike kishin rënë dakord të punonin bashkërisht në Këshillin Politik, i cili u krijua për të siguruar gjithëpërfshirjen dhe konsensusin mes palëve për Reformën Zgjedhore.

Marrja e vendimeve për çështje që prekin zgjedhjet, jashtë Këshillit Politik, në një proces të mbyllur dhe ku u përjashtua Opozita politike e vendit, dëmton stabilitetin demokratik të vendit dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në këtë mënyrë ju shkelët Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe zotimet e ndërmarra në Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Veprimi juaj i njëanshëm është në kundërshtim me Rekomandimin Prioritar Nr. 1 të OSBE-ODIHR, ku theksohet se: “Me qëllim forcimin e demokracisë pluraliste, rikonfirmimin e të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe demonstrimin e përgjegjësisë së përbashkët për integritetin e procesit zgjedhor, partitë politike dhe aktorët e tjerë zgjedhorë duhet të angazhohen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë reformën zgjedhore. Ishte ky Rekomandim që shërbeu si nxitje mes palëve për krijimin e Këshillit Politik, ku të gjitha forcat politike në vend janë të përfaqësuara. Është kusht i Këshillit Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE që Reforma Zgjedhore të kryhet në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR dhe në një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës.

Pavarësisht njëanshmërisë suaj dhe shkeljes flagrante te Marrëveshjesse 5 Qershorit dhe 14 Janarit, Opozita e Bashkuar ka treguar dhe rikonfirmon vullnetin e saj për t’i qëndruar dhe respektuar marrëveshjet politike të nënshkruara nga ana jonë.Kjo jo vetëm në respekt të votuesve tanë dhe qytetarëve shqiptarë, por edhe të partnerëve tanë strategjikë që kanë qenë të angazhuar me seriozitet dhe përkushtim, duke filluar me ngritjen e Këshillit Politik dhe gjatë gjithë kohës së funksionimit të tij.

Ndryshe nga Partia Socialiste që synon të minojë dialogun politik, Opozita e Bashkuar, është e vendosur për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe interesin më të mirë të Shqipërisë, për një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, në përgjigje edhe të apelit të vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarw  dhe, mbi të gjitha, për shkak se kjo çështje lidhet drejtpërdrejtë edhe me procesin e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimi Europian.

Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe Marrëveshjes së 14 Janarit dhe, pavarësisht provokimeve të herëpashershme që bëhen nga ana e Partisë Socialiste, jemi të palëkundur në vullnetin tonë për respektimin e këtyre marrëveshjeve, si rruga e vetme për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe pritshmërisë që ato kanë nga Reforma Zgjedhore.

Për të gjitha sa më sipër, duke shprehur qëndrimin e detajuar bashkëlidhur kësaj shkrese, konfirmojmë se:

Vijimi i punës në Këshillin Politik duhet të kryhet në mirëbesim mes palëve, duke respektuar Marrëveshjet politike të nënshkruara më parë, të 14 Janarit dhe 5 Qershorit, si dhe standartet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nën këtë premisë, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e radhës, ditën e hënë, ora 18.00.

Në përfundim, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se gjithëpërfshirja dhe konsensusi në përcaktimin e rregullave të garës elektorale kontribuon në krijimin e një klimë të stabilizuar politike përpara zgjedhjeve të radhës dhe rrit shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Këto duhet të jenë qëllimet përbashkuese të të gjitha partive politike në Shqipëri. Partia Demokratike dhe Koalicioni i Opozitës së Bashkuar është i vendosur për ta ruajtur këtë qëllim sic ka bere deri tani duke kontribuar ne arritjen e konsensusit per miratimin e rregullave zgjedhore.

NË EMËR TË OPOZITËS SË BASHKUAR

Përfaqësuesit në Këshillin Politik

OERD BYLYKBASHI      PETRIT VASILI


Lajmi kryesor:

Palët nuk gjejnë dakordësi, vijon ngërçi në Këshillin Politik, Gjiknuri: PD të sjellë propozimet! Bylykbashi: Kërkojmë opinionin e OSBE-ODHIR, PS kundër


I.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja