“Ndryshimi më i rëndësishëm prek transportin urban i cili është në një proces transformimi e modernizmi, pavarësisht se ende nuk jemi aty ku do të donim. Futja e biletave elektronike brenda vitit 2016 do të eleminojë njëherë e mirë shumë nga abuzumet prej të cilave vuante sistemi i transportit urban. E po ashtu, kontrollet më të shumta dhe këmbëngulja për cilësi më të lartë shërbimesh duke shkuar deri tek gjobat apo heqa e licencave, po fillon të japë frytet e veta. Po mendojmë aktualisht për themelimin e një kompanie publike transporti urban e cila do të shërbejë si etalon i standardeve të shërbimit me të cilin do të duhet të krahasohen të gjithë operatorët”, tha Veliaj në fjalën e tij.
Gjithashtu duke bërë një përmbledhje të punëve kryesore të realizuara gjatë këtij viti të parë, kryebashkiaku Veliaj evidentoi pastrimin si një nga fushat ku është edhe ndryshimi më i madh dhe më i ndjeshëm për qytetarët.
“Tirana që gjetëm ishte një qytet jo funksional. Sesa ka ndryshuar Tirana në këto pak muaj e shohin të gjithë. Qytetarët mbi të gjitha. Tirana sot është një qytet më i pastër dhe shërbimi i pastrimit është përmirësuar ndjeshëm. Rrugët, pusetat, ndriçimi, gjithçka ka filluar të përmirësohet edhe pse padyshim mbetet një punë jashtëzakonisht e madhe për të bërë për ta çuar Tiranën aty ku duam ne. Por Tirana sot vjen më në fund era qytet dhe Bashkia era Bashki”, - shtoi Veliaj.
Gjithashtu kryetari i Bashkisë ka theksuar se një punë e rëndësishme është bërë edhe në investimet publike, sidomos në infrastrukturën rrugore, rikualifikimin e zonave të banuara, ujësjellës etj.
“Është ky buxhet që po na lejon ta kthejmë Tiranën në një qytet të jetueshëm - në një qytet të pastër e të gjelbër, ku rrugët nuk janë të mbushura me gropa e ku trotuaret nuk janë të zaptuara apo të pandriçuara, ku transporti publik është i shpejtë dhe cilësor, ku shërbimet janë gjithëpërfshirëse, ku jeta kulturore e artistike është e larmishme dhe ku mundësitë për të investuar e për të bërë biznes janë të mëdha. Plot 39% e këtij buxheti po shkon për investime publike. Pra në vitin 2016, po investohen 48 milionë dollarë, ndërkohë që në 2014 investimet publike ishin 15 milionë dollar ndërsa në 2015 vetëm 13 milionë dollar. Një rritje prej 280%”, theksoi kryetari i Bashkisë.
Në rendin e ditës Këshilli Bashkiak ka shqyrtuar ‘Programin afatmesëm buxhetor 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të bashkisë Tiranë për vitin 2016 (i ndryshuar) i cili kaloi vetëm me votat e mazhorancës. Po ashtu, dhënien e ndihmës ekonomike për muajin korrik 2016 si dhe Miratimi i pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar për muajin korrik 2016.
Pas diskutimeve, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin “Për një ndryshim në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.58, datë 30.12.2015, për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranës për vitin 2016 (i ndryshuar); vendimin “Për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31.72016”; vendimin “Për miratimin e pagesës për PAK dhe Invalidët e Punës për periudhën 1-31 korrik” si dhe vendimin “Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë të ndryshme natyrore për disa familje të Tiranës”.
Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës mbajtur sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)