Sopranoja e njohur italiane, Ana Pirozzi do të jetë në Tiranë për një master class falas për të rinjtë. Këtë e bëri me dije Drejtoresha e komunikimit e Teatrit të Operas dhe Baletit, Ana Gjoka, e cila në një intervistë për Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj tha se nga 25 aplikime që janë marrë, është bërë përzgjedhja dhe ndarja nga dëgjues në efektiv.
“Muajin qershor kemi menduar ta nisim me koncerte. Do të jenë 4 koncerte të njëpasnjëshme, do e hapim siparin me Master Class të akademisë teatrale që është program i ri i cili ka iniciuar këtë vit në TOB. E nisëm me Ermonela Jahon, kemi sërish një soprano të mirë italiane, Ana Pirozzi. Te Ermonela ndoshta nuk kishte mirëorganizim e nuk ishin mundësitë ekonomike të të rinjve dhe këtë herë kemi vendosur ta bëjmë në 1 ditë, do të jetë pa pagesë për të rinjtë. Janë marrë 25 aplikime dhe janë përzgjedhur sepse janë të ndarë në dëgjues e në efektiv. Këtë herë nuk e kemi kufizuar se qëllimi i programit është të afrojë më shumë të rinj. Ana Pirozzi do punojë kryesisht me të rinjtë në teknikën e interpretimit dhe ndërtimin e një roli të një artisti”, tha Ana Gjoka.
Po ashtu tregoi se kur do të mbahet Master Class-i i sopranos italiane.
“Do mbahet të shtunën në orën 12:00 dhe do të jetë përgjatë 4-5 orëve. Pirozzi do të jetë bashkë me orkestrën simfonike dhe korin e Teatrit”, tha Ana Gjoka.
Sa i përket kalendarit të Teatrit të Operas dhe Baletit për sezonin veror, Ana Gjoka tha se do të gëlojnë aktivitetet por nuk dha detaje duke thënë se do të jenë surprizë.