Tre gishta të ngritur drejt qiellit, gishti i madh, treguesi dhe ai i mesit. Me këtë gjest studentët serbë festuan fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës, më 25 tetor, duke i dhënë fund 14 viteve të dominimit politik të Aleksandar Vuçiçit.
Në rrugët e Beogradit, mes flamujve, borive të makinave dhe thirrjeve festive, mijëra njerëz përshëndetën fitoren e Listës së Studentëve, e cila, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Zgjedhor, siguroi 52.65% të votave, kundrejt 39.22% të koalicionit të ish-presidentit.
Rezultati shënon përfundimin e një periudhe gati dyvjeçare protestash, të nisura pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Por përshëndetja me tre gishta, e kthyer në një nga simbolet e fushatës zgjedhore, mbart një histori të debatueshme.
I njëjti gjest është përdorur nga nacionalistët serbë gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.
Dhe ndërsa sot, për shumë të rinj serbë, ai përfaqëson fitoren kundër korrupsionit dhe autoritarizmit, për një pjesë të boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve vazhdon të ngjallë kujtimet e përndjekjeve dhe dhunës.
Nga tradita ortodokse te nacionalizmi serb, historia e tre gishtave
Gjestin e njohur si “tri prsta”, që në shqip do të thotë “tre gishta”, e gjejmë fillimisht në traditën e krishterë ortodokse, ku tre gishtat simbolizojnë Trininë e Shenjtë.
Historiani serb Milosh Vojinoviç ka rindërtuar së fundmi origjinën e këtij simboli, duke identifikuar një nga paraqitjet më të hershme në një pikturë të vitit 1750, të realizuar nga piktori Joakim Markoviç.
Piktura paraqet një betim besnikërie ndaj perandorit të Habsburgëve.
Një tjetër dëshmi historike gjendet në një fotografi të komitetit kryengritës të Nishit, që daton nga gjysma e dytë e shekullit XIX.
Në atë fotografi, disa burra shfaqen duke ngritur tre gishtat, këtë herë të bashkuar, gjatë një betimi.
Megjithatë, përshëndetja në formën që njihet sot, me tre gishtat të ndarë nga njëri-tjetri, u rikthye në janar të vitit 1990 nga Vuk Drashkoviç, në atë kohë drejtues i opozitës kundër Sllobodan Millosheviçit.
Në vitet që pasuan, gjesti u kthye në një shenjë të identitetit kombëtar serb, duke u përhapur në tubime politike, stadiume dhe festime sportive.
Por ai u përdor edhe nga luftëtarët dhe formacionet nacionaliste serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Kjo është edhe arsyeja pse simboli vazhdon të ketë kuptime shumë të ndryshme brenda dhe jashtë Serbisë.
Tre gishtat dhe dëshmitë nga Srebrenica
Një nga dëshmitë që tregon lidhjen e këtij gjesti me luftërat e viteve ’90 gjendet në një raport të organizatës Human Rights Watch për rënien e Srebrenicës, të publikuar në tetor 1995.
Në raport, një grua boshnjake tregonte se kishte parë milicët serbo-boshnjakë duke ngritur tre gishtat, ndërsa fyenin refugjatët myslimanë.
Ajo dëshmoi gjithashtu se disa të burgosur ishin detyruar ta përsërisnin këtë gjest nën kërcënimin e armëve.
Kjo dëshmi tregon peshën që mori simboli në kujtesën e viktimave të luftës.
Për këtë arsye, përdorimi i tre gishtave nga një brez i ri që kërkon demokraci dhe luftë kundër korrupsionit ngre një pyetje: Si ka mundësi që një simbol i lidhur me nacionalizmin serb të përdoret sot nga një lëvizje që kërkon ndryshim demokratik?
Pse studentët zgjodhën pikërisht tre gishtat?
Shpjegimi më i drejtpërdrejtë lidhet me zgjedhjet parlamentare.
Listës së Studentëve iu caktua numri tre në fletën e votimit.
Të rinjtë e kthyen këtë numër në një shenjë identifikuese të fushatës, duke e shoqëruar edhe me një këngë të vjetër popullore, “Tri poljupca”, që do të thotë “Tre puthje”, të interpretuar nga Snezhana Saviç.
Kënga u kthye në himnin jozyrtar të fushatës studentore.
Sipas historianit Milosh Vojinoviç, ajo që po ndodh në Serbi është një shembull se si simbolet mund të ndryshojnë kuptim me kalimin e kohës.
Njerëz që deri pak muaj më parë do të kishin refuzuar të ngrinin tre gishtat, sepse i lidhnin me nacionalizmin, sot po e përdorin këtë gjest për të mbështetur studentët.
Nga ana tjetër, mbështetës të qeverisë që më parë e konsideronin këtë përshëndetje si shprehje të patriotizmit, kanë ndaluar së përdoruri atë.
Kështu, i njëjti simbol që për dekada është lidhur me identitetin kombëtar dhe nacionalizmin serb, në këto zgjedhje u përdor si shenjë mbështetjeje për një lëvizje që kërkonte fundin e pushtetit të Vuçiçit.
Kryqe ortodokse, flamuj serbë dhe thirrjet “Kosova është Serbi” në protestat studentore
Por debati nuk lidhet vetëm me përshëndetjen me tre gishta.
Që nga fillimi i protestave, lëvizja studentore është përpjekur të shmangë ndarjet ideologjike, duke refuzuar identifikimin me partitë tradicionale.
Studentët i përqendruan kërkesat te lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe respektimi i institucioneve.
Megjithatë, kjo strategji ka nxjerrë në pah edhe kundërthënie.
Një studim i publikuar në vitin 2025 në revistën akademike “Cogent Social Sciences”, nga Aleksandra Jerkov, Milivoj Beshlin dhe Branislav Radeljiç, analizoi pikërisht këto kundërthënie brenda lëvizjes.
Sipas studimit, në protesta ishin të pranishme kryqe ortodokse, flamuj kombëtarë serbë dhe slogane si “Kosova është Serbi”.
Ndërkohë, në disa raste, simbolet proevropiane dhe progresiste kundërshtoheshin ose largoheshin nga tubimet.
Autorët e studimit e përshkruajnë këtë qasje si një formë të tolerancës selektive.
Sipas tyre, referencat nacionaliste përgjithësisht pranoheshin, ndërsa simbolet që konsideroheshin përçarëse dekurajoheshin.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht përqafimin e ideologjisë nacionaliste nga lëvizja studentore.
Ata e shohin më tepër si një zgjedhje pragmatike për të mbajtur të bashkuar një lëvizje që kishte arritur të siguronte mbështetje nga grupe me bindje shumë të ndryshme politike.
Në të njëjtën lëvizje u bashkuan liberalë, konservatorë, mbështetës të integrimit evropian dhe nacionalistë.
Të gjithë kishin një objektiv të përbashkët: përfundimin e sistemit të pushtetit të Vuçiçit.
Pse studentët shmangën flamujt e Bashkimit Evropian?
Një tjetër studim, i publikuar në prill 2026 nga studiuesja Anna Seliverstova në revistën “Journal of Common Market Studies”, jep një shpjegim plotësues për strategjinë e studentëve.
Studimi, i mbështetur në 18 intervista, tregon se shmangia e simboleve të Bashkimit Evropian lidhej edhe me përpjekjen për të mos u dhënë mundësi autoriteteve t'i akuzonin protestuesit se drejtoheshin nga jashtë vendit.
Akuza të tilla ishin përdorur shpesh nga qeveria kundër pjesëmarrësve në protesta.
Për këtë arsye, studentët zgjodhën të mos e lidhnin lëvizjen me simbole të qarta ideologjike apo gjeopolitike.
Në vend të kësaj, ata u përqendruan te kërkesat që mund të bashkonin sa më shumë qytetarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Sipas analizës së gazetës italiane “Corriere della Sera”, kjo strategji dha rezultat.
Studentët arritën ta shndërronin një protestë të nisur për të kërkuar drejtësi për 16 viktimat e tragjedisë së Novi Sadit në një mobilizim kombëtar.
Më pas, kjo mobilizim u kthye në një shumicë elektorale që i dha fund pushtetit 14-vjeçar të Vuçiçit.
Pas fitores ndaj Vuçiçit, çfarë qëndrimi do të mbajnë studentët për Kosovën?
Fitorja zgjedhore, megjithatë, hap një sërë pyetjesh që gjatë protestave kishin mbetur në plan të dytë.
Deri tani, lëvizja studentore ka arritur të bashkojë njerëz me bindje të ndryshme rreth kundërshtimit të qeverisjes së Vuçiçit.
Por pas marrjes së shumicës elektorale, ajo do të duhet të përballet edhe me çështje që mund të nxjerrin në pah dallimet mes mbështetësve të saj.
Një prej tyre është qëndrimi ndaj Kosovës.
Gjatë protestave janë shfaqur slogane nacionaliste si “Kosova është Serbi”, ndërsa lëvizja ka shmangur përplasjet ideologjike që mund të cenonin unitetin e saj.
Tashmë mbetet për t'u parë se çfarë pozicioni do të mbajë shumica e re ndaj Kosovës, marrëdhënieve me Bosnjën dhe Kroacinë, integrimit në Bashkimin Evropian dhe kujtesës së luftërave në ish-Jugosllavi.
Një tjetër pikëpyetje është nëse studentët do të arrijnë ta mbajnë të bashkuar një front politik të ndërtuar kryesisht mbi kundërshtimin ndaj Vuçiçit.
Sepse bashkimi kundër një qeverie nuk do të thotë domosdoshmërisht se të gjitha grupet që morën pjesë në protesta kanë të njëjtat qëndrime për të ardhmen e vendit.
Kjo është edhe një nga çështjet që ngre analiza e gazetës italiane.
Tre gishtat e ngritur në sheshet e Serbisë tregojnë kështu dy histori të ndryshme.
Nga njëra anë, historinë e një brezi që arriti të rrëzojë një sistem politik të konsoliduar prej 14 vitesh.
Nga ana tjetër, historinë e një vendi që ende nuk e ka zgjidhur marrëdhënien me të kaluarën e tij.
Kuptimi që do të marrë ky gjest në të ardhmen do të varet edhe nga zgjedhjet politike që do të bëjë Serbia e re./CorrieredellaSera









Komente
Komento