Kreyministri Edi Rama ka deklaruar se gjatë këtij sezoni, numri i mjekëve dhe infermierëve në qendrat shëndetësore sezonale është rritur në të gjithë vendin.
Komentet Rama i bëri nga Durrësi, ku është çelur sezoni shëndetësor veror 2026, ku 301 mjekë dhe infermierë të sapoemëruar do të shërbejnë në 36 qendra shëndetësore verore.
Kjo rritje sipas kryeministrit, vjen jo vetëm duke parë ecurinë e mirë të këtyre qendrave nga sezoni i kaluar, por edhe për shkak të rritjes së pritshme të numrit të turistëve gjatë këtij sezoni.
Më tej, drejtuar mjekëve dhe infermierëve, Rama i cilësoi ata si ‘ambasadorët e vendit’, pasi sipas kryeministrit, ata janë ndoshta e vetmja ‘shëmbëlltyrë e shtetit shqiptar që turistët e huaj takojnë’.
“Arsyeja pse jemi këtu lidhet nga një anë me nevojën për të përcjellë te të gjithë qytetarët tanë mesazhin se vëmendja jonë përmes strukturave të shërbimit publik për sezonin është e lartë. Nga ana tjetër, për t’ju përcjellë juve mesazhin se roli juaj në këtë fazë të vitit është i jashtëzakonshëm, qoftë sa i përket detyrës që lidhet me përkujdesjen ndaj atyre që trokasin në dyert e qendrave shëndetësore verore, qoftë edhe për vetë Shqipërinë, e cila edhe përmes jush ju flet dhe ju thotë diçka për veten, atyre që vijnë në dyert e qendrave shëndetësore, duke qenë turistë të huaj.
Qendrat Shëndetësore janë një eksperiecë e konsoliduar. Faktikisht, këtë vit numri i qendrave është rritur, numri i mjekëve dhe infermierëve që do të shërbejnë në këto qendra është rritur. Kjo duke pasur parasysh që këtë vit numri i turistëve do të konsolidohet minimalisht në atë nivel që ishte vitin e shkuar, por në momente të caktuara të vitit, edhe të rritet. Ju jeni ambasadorët e vendit në këtë kuptim. Jeni ndoshta e vetmja shëmbëlltyrë e shtetit shqiptar që ata takojnë”, tha mes të tjerash Rama.
Të pranishëm në takimin për çeljen e sezonit shëndetësor veror, veç Ramës, kanë qenë gjithashtu edhe ministrja e Shëndetësisë Evis Sala dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako.
Kryebashkiakja Sako gjatë fjalës së saj tha se Durrësi pret rritje të numrit të turistëve (nga 1.5-2 milionë) gjatë këtij sezoni, teksa tha se të gjitha shërbimet e Bashkisë duhet të jenë në shërbim 24 orë gjatë kësaj periudhe.
“Ne presim nga 1.5 milionë deri në 2 milionë turistë gjatë këtij sezoni turistik në Durrës. Të gjitha shërbimet tona janë 24 orë në punë. 5 qendra shëndetësore janë sezonale. Është shumë e rëndësishme që angazhimi ynë gjatë kësaj periudhe të jetë 24 orë, për të qenë më afër qytetarëve”, tha mes të tjerash kryebashkiakja Emirjana Sako.
Më tej, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka falënderuar mjekët dhe infermierët për punën e tyre, teksa shtoi se secili prej tyre jep një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke u kujdesur për shëndetin e turistëve.
“Secili nga ju jep kontributin në mënyrë të ndryshme, por të gjithë jepni kontribut shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke u kujdesur për shëndetin e turistëve”, tha mes të tjerash Sala.
Komente











