Ketro: Shtyje ta shtyjmë për një president që ka ende kohë për reflektim

Ketro: Shtyje ta shtyjmë për një president që ka ende kohë për reflektim

Presidenti Ilir Meta duket se do e çojë deri në fund vendimin e tij për t’i shtyrë zgjedhjet vendore të dekretuara më parë po prej tij. Pavarësisht zërave nga mazhoranca për hapjen e procesit për shkarkimin e tij, ai nuk po jep shenja se do të tërhiqet. Ky vendim tendencioz synon që ta heqë gjylen nga fusha e PD-së e LSI-së dhe ta hedhë atë në fushën e PS-së.

Ndonëse ai nuk ka asnjë bazë ligjore ku ta mbështesë vendimin e tij, ky zhvillim politik përbën një precedent të rrezikshëm që fatkeqësisht po krijohet nga garanti i kushtetutës. Kjo shtyrje e pa konsultuar, as me PS-në si partia më e madhe e mazhorancës, as me PD e LSI, jo vetëm nuk e zgjidh ngërçin ku e kanë futur veten dy partitë opozitare, por e thellon atë.

Deri më sot, këto dy parti, nuk janë artikuluar në asnjë rast për shtyrje të zgjedhjeve. Ato kanë kërkuar vetëm një gjë: Krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër dhe çuarjen e vendit në zgjedhje parlamentare të parakohshme. Mosqenia e Ramës si kryeministër hyn edhe tek ato kushtet që Lulzim Basha i konsideron të panegociueshme.

Kjo vendimmarrje presidenciale nuk zgjidh gjë. Dihet se ligji kushtetues shprehet se i zgjedhuri vendor ka mandat 4 vjeçar dhe nuk mund të qeverisë përtej tij. Ligji zgjedhor përcakton dy periudha zgjedhjesh: 15 mars deri 30 qershor dhe 15 shtator deri 30 nëntor.

Data e pritshme që presidenti pritet të dekretojë është data 15 shtator. Duke qenë se në këtë datë shkelet kushtetuta për mandatin 4 vjeçar të kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë, atëherë, çfarë e pengon zotin president që, meqë e kaloi qoftë edhe me një ditë mandatin e tyre, të mos e shtyjë për katër vjet?! Që do të thotë, ai të dekretojë si datë zgjedhjesh datën 30 qershor 2023. Nuk e them me ironi këtë, pasi si një ditë, si katër vjet, kushtetuta njësoj është shkelur.

Tjetra që kam paqartësi është fakti që edhe sikur mazhoranca të çmendet e të pranojë datën 15 shtator, çfarë do të ndodhë nëse Lulzim Basha nuk paraqitet në zgjedhje?! Mos vallë zoti president do anulojë sërish zgjedhjet për t’i shtyrë ato më 30 nëntor? Po nëse Luli nuk paraqitet as më 30 nëntor, mos vallë do i shtyjë më 15 mars 2020? Pse, kështu, shtyrje pas shtyrje do e shtyjmë ne, deri sa t’i mbarojë mandati zotit president?!

Kur them që Lulzim Basha nuk do të parqitet në zgjedhje, kam parasysh faktin që ai është betuar që zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Dihet që Rama as më 15 shtator e as më 30 nëntor s’ka për të dhënë dorëheqje. Apo zoti president ecën me teorinë, i dola njëherë borxhit, pastaj le të bëhet se ç’të bëhet?!

Nëse Lulzim Basha nuk është tërhequr nga kushti i tij i panegociueshëm, atëherë presidenti Ilir Meta bën mirë ta thërrasë në zyrë e ta dëgjojë edhe një herë këtë gjë nga goja e tij. Prej kësaj përgjigje ai është ende në kohë që të tërhiqet nga shkelja e Kushtetutës që po i rezervon vetes. Sepse, në këto kushte, as më 15 shtator Lulzim Basha nuk do të jetë i gatshëm për zgjedhje, rrjedhimisht për çfarë arsye duhen shtyrë ato? Apo për të vënë në provë opozitën dhe për të tallur menderen me popullin?!

Le të marrim opsionin tjetër që Lulzim Basha heq dorë nga kushti i panegociueshëm dhe e pranon Ramën dhe qeverinë e tij. Pyetja që lind është: Kur e pranon tani, çfarë pati që nuk hyri në zgjedhjet vendore të 30 qershorit edhe pasi Rama iu lut me 7 letra radhazi në prag të fushatës elektorale?

Nëse tashmë Luli dhe Mona janë bërë pishman dhe e pranojnë Ramën kryeministër, pse duhej gjithë ai molotov dhe gjithë ajo propagandë kundër Shqipërisë në kancelaritë evropiane me qëllim që të pengonin hapjen e negociatave?!

Në rast se Lulzim Basha ka ndërruar kurs dhe e pranon Edi Ramën kryeministër, atëherë, përpara se të hyjë në zgjedhje, duhet të dorëhiqet si kryetar i PD-së. Ia kërkoj këtë sepse demokratët nuk kanë për t’ia falur këtë tallje që u ka bërë këto 5 muaj. Dhe talljen e tyre prej tij, ata do t’ia shpërblejnë me votë kundër në çfarëdo date që të zhvillohen zgjedhjet. Vetëm se ajo humbje do të jetë njëmijë herë më e hidhur se sa kjo humje që po i ofron partisë së tij nga mospjesëmarrja në zgjedhje.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hinglateri: 09/06/2019 20:22

    Ekselente analize

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Spektakël në 'Friuli', Udinese dhe Torino barazojnë 2-2

VIDEO/ Spektakël në 'Friuli', Udinese dhe Torino barazojnë 2-2