Ketro: SPAK-u, si shpresë për popullin dhe frikë për politikën

Ketro: SPAK-u, si shpresë për popullin dhe frikë për politikën

Më në fund u bë realitet edhe ngritja de fakto e strukturës që do hetojë dhe dërgojë përpara gjykatës funksionarët e lartë të shtetit; ata që kanë qenë, janë dhe që do të jenë në të ardhmen.

Kjo strukturë vjen si një shpresë e madhe për popullin shqiptar pas afro tri dekadash ku institucionit të akuzës i kishte humbur funksioni i tij ligjor dhe ishte kthyer në një vegël bashkëpunuese e politikës. Duke i munguar garancitë si dhe pavarësia reale, shumë prokurorë e dinin kufirin të cilin nuk duhet ta kalonin. Shtoji kësaj edhe mënyrën e centralizuar se si funksiononte dikur prokuroria (Prokurori i Përgjithshëm i cili zgjidhej nga politika kishte autoritet për të nisur apo mbyllur çdo lloj çështje), vetëkuptohet se sa e pashpresë bëhej situata që një politikan i pushtetshëm i rangur të lartë të vihej përballë ligjit.

SPAK-u është tjetër histori nga kjo e deritanishmja. Kjo strukturë i ka të gjitha lehtësitë ligjore për të vënë përpara ligjit çdokënd që e shkel atë, pavarësisht pozitës së lartë që mban.

Anë tjetër pozitive e SPAK-ut është ajo që të gjithë prokurorët e tij kanë kaluar vetting-un. Kjo u jep atyre autoritet absolut dhe të paparagjykueshëm në punën e tyre. Sepse deri më sot çdo prokuror ishte i paragjykuar si i korruptuar, i lidhur me krimin e gjithfarëlloj perceptimesh negative karshi tyre.

Vetting-u i kaluar suksesshëm prej tyre është një armë e fortë psikologjike që ata kanë në ndërgjegje, për të qenë të qetë në detyrën që kanë marrë përsipër të kryejnë.

Megjithatë shihet se prej publikut, por edhe rrethit të analistëve, ka një ngutje për t’i vënë në presion prokurorët e SPAK-ut. Është e kuptueshme që durimi 30 vjeçar është tepër i gjatë dhe tashmë kërkon rezultate të shpejta, por kjo nuk do të thotë që SPAK-u të kthehet në një institucion që punon me normë.

Dikur, në komunizëm, shumë ndërmarrje kishin si bazë kapjen e normës së punës. Kur e tejkaloje atë pagueshe shtesë, gjë që i bënte punonjësit më të zellshëm. Por kjo mënyrë nuk duhet të funksionojë për SPAK-un. Kjo strukturë nuk mund të punojë duke i kërkuar sasi individësh që t’i vërë doemos përpara ligjit, bile të tejkalojë “planin”. Kjo do të ishte gjëja më e keqe.

Ka një shprehje popullore: “Më mirë pak e saktë, se shumë e për lumë”. Kjo shprehje vlen edhe për prokurorët e SPAK-ut. Është padiskutim e rëndësishme që më mirë të kemi, bie fjala, 5 politikanë të arrestuar ama për ta të jenë kryer hetime që kanë çuar në prova të pakundërshtueshme nga gjykata, se sa të arrestohen 50 politikanë me hetime të përcipta sa për t’i bërë qejfin publikut dhe si përfundim gjykata të shprehet se arrestimet nuk përligjen me prova.

Çdokush ka dëshirë ta shoh ish-kryeministrin Berisha në bankën e të akuzuarve, por nuk do doja kurrë që ai të vihej përpara ligjit se kështu dua unë apo tjetri, por vetëm pasi ndaj tij të jenë kryer hetime serioze të cilat kanë çuar në mbledhjen e provave dhe fakteve që edhe Sali Berisha mos dijë dot se si t’i justifikojë të kundërtën.

Parë në këtë këndvështrim, gjykoj se prokurorët e SPAK-ut duhen lënë të qetë në punën e tyre. Mos harrojmë se ata tashmë konsiderohen prokurorë elitë dhe po elitë duhet të jenë edhe aktet e tyre të hetimit. Sigurimi i provave nuk është proces që bëhet sa hap e mbyll sytë apo me një llaf goje.

Jemi dëshmitarë të rasteve që edhe pse ndaj një të pandehuri ka pasur prova të implikimit, ai i ka shpëtuar dënimit vetëm sepse prokuroria ka gabuar në zbatimin e procedurave ligjore për mbledhjen e provave.

Ngutja për t’i bërë gjërat shkel e shko vetëm e vetëm për të përmbushur disa pritshmëri militanteske të publikut, do të jenë të dëmshme për punën e SPAK-ut, duke ndikuar në uljen e reputacionit që ky institucion ka aktualisht.

Prandaj kërkohet një tjetër qasje nga ajo çka kemi parë deri më tani. Qasje që ka të bëjë me nisjen e hetimit pa u ndikuar nga emri që ka i dyshuari, seriozitetin dhe vendosmërinë për t’i shkuar atij deri në fund, pa shenja tendencioziteti, por me kurajon për të qenë mbrojtës të interesit publik, të taksave dhe pasurive kombëtare, të shpërdoruara nga pushtetarë zullumqarë.

Vetëm kësisoj SPAK-u do të kthehet si një shpresë e bërë realitet për popullin, duke krijuar frikë dhe ankth tek pushtetarët e të gjitha kohërave. Uroj sinqerisht që t’i përmbahet këtyre parimeve për t’u bërë mishërim i asaj që beson secili prej nesh.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 22/12/2019 14:42

    Berisha duhet rrjepur i gjalle me brisk rroje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda