KIEV- Qindra mijëra njerëz kanë zbritur në sheshin qëndror të Kievit duke iu përgjigjur kështu apelit të opozitës për të protestuar kundër vendimit të presidentit Viktor Yanukovich për të ndaluar procesin e integrimit të Ukrainës në BE. Pasi sulmuan selinë e qeverisë ukrainase, një kortezh pro BE-së iu drejtua pallatit të presidentit ndërsa një grup protestuesish rrëzuan statujën e Leninit në qendër të kryeqytetit.

Sipas agjencisë së lajmeve Itar-Tass, monumenti u rrëzua nga militantë të partisë ultranacionaliste Svoboda. Statuja u rrëzua përmes litarëve që tërhiqte turrma ndërsa bërtiste “Yanukoviç, radhën e ke ti”.

Më pas protestuesit vijuan të qëllojnë statujën me çekiçë deri në copëtimin e saj.
kiev
kiev 1

Analistët thonë se statuja ka një rëndësi simbolike pasi thekson pikërisht historinë e përbashkët të Ukrainës me Rusinë. Një prej deputetëve të opozitës komentoi në rrjetin social Twitter “Lamtumirë trashëgimi komuniste” .

Por ka reaguar kryeministri i vendit Mykola Azarov i cili e krahasoi rrëzimin e statujës me shkatërrimin që i bënë talebanët statujës gjigande të Budës në Afganistan në vitin 2001. Ndërkaq ka reaguar nga prapa hekurave të burgut, edhe ish kryeministrja e Ukrainës Julia Tymoshenko e cila i bën thirrje opozitës të udhëhequr nga ish kampioni I botës në boks Vitali Klitschko të marrë parasysh rreziqet e një marrëveshje me qeverinë.

“Të mos dorëzohen dhe të mos ulen me ta në tavolinë”, ka deklaruar 53-vjeçarja përmes një letre që e bija lexoi para mijëra manifestuesve në Kiev. Sipas ish kryeministres, Yanukoviç ka humbur legjitimitetin e tij në momentin kur nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen me BE-në.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)