Kryeqyteti i Ukrainës ka qenë nën sulmet e raketave ruse mëngjesin e sotëm. Të paktën dhjetë persona janë plagosur. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko njoftoi se janë goditur disa ndërtesa banimi dhe janë dëmtuar disa impiante industriale.
Klitschko tha gjithashtu se mbrojtja kundërajrore ukrainase po zmbrapste sulmin, i pari në shkallë të gjerë në javët e fundit, ndërkohë që copëza raketash kanë rënë në zona të ndryshme të qytetit. Sakaq, komandanti i forcave ajrore ukrainase njoftoi se janë rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore 31 raketa ruse në Kiev.
Alarmi ajror në kryeqytetin ukrainas zgjati 3 orë. Nga ana tjetër, autoritetet ruse bën me dije se sistemet mbrojtëse rrëzuan dhjetë raketa ukrainase që fluturonin në rajonin e Belgorodit në kufi mes dy vendeve.
Nënkryetari i Dumës ruse, Piotr Tolstoy deklaroi në një intervistë se Franca po provokon Luftën e tretë Botërore me idenë e dërgimit të trupave franceze në Odesa. Ai dha një deklaratë të ashpër teksa shtoi se forcat ruse do t’i vrasin ata të gjithë.
‘Ideja e dërgimit të ushtarëve francezë në Ukrainë do të përfundojë me arkivole të mbuluara nga flamuri tringjyrësh’, tha Tolstoi.
Kjo deklaratë vjen pasi nga Moska u bë me dije lajmi se Franca ka gati një kontingjent prej 2 mijë ushtarësh për t’i dërguar në Kiev. Lidhur me këtë ministri francez i Mbrojtjes tha se nga Moska përdoren sistematikisht dezinformata.