Procesi i zëvendësimit të Yuri Kim ka nisur, ndonëse vetë ambasadorja amerikane që është drejt mbarimit të mandatit ka konfirmuar se do të jetë edhe pak më gjatë në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk është thyer etika diplomatike duke theksuar se është nisur nga departamenti i Shtetit si për të gjithë ambasadorët.

Rama u shpreh se Ministria e Jashtme bëri njoftimin për procedurat e zëvendësimit pasi Amerika është e veçantë për Shqipërinë. Në një konferencë për media në mbyllje të mbledhjes së tij me drejtuesit politikës të PS në qarqe, kreu i qeverisë hodhi poshtë të gjitha spekulimet se ka krisje të marrëdhënies me ambasadoren Kim.

“Nuk është thyer asnjë etikë dhe procesi për zëvendësimin ka nisur siç është thënë dhe nga ministria e jashtme. Nuk e kemi nisur ne procesin por departamenti i shtetit. Amerikën e kemi të veçantë. Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, në mund ta përdorim metaforën me krisje dhe ngjitje. Nuk ka asnjë problem, ne kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem. Domethënë, kush e shpreson krisjen, gabon”, tha Rama.

Sa i takon akuzave për përfshirjen e ish zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve, kryeministri Edi Rama refuzoi të prononcohej për këtë çështje pa patur një vendim përfundimtar nga hetimet e bëra. Ndërsa për zgjedhjet e 14 majit, Rama me bindje se do të mposhtin opozitën tha se kanë nisur fazën e planifikimit të fitores duke shtuar se patronazhistët janë gati. Një koment e pati edhe për paralajmërimin e Erion Braçes për lënien e mandatit duke thënë se "është gjithmonë i pranishëm tek ai".

Kujtojmë se në 8 dhjetor të këtij viti, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se ishin nisur procedurat për zëvendësimin e Yuri Kim në postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Burime të “Report Tv”, bënë me dije se në vend të saj, në pozitën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, pritet të emërohet David Kostelanick. Ky i fundit njihet si njohës i çështjes Ruse, teksa aktualisht ka pozicionin e drejtorit në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Të njëjtat burime konfirmuan se Ambasadorja Kim do të jetë kandidate për t’u bërë diplomate e re amerikane në Korenë e Jugut, pozicion që e pretendon edhe ish-komandanti i Forcave Amerikane të Koresë, Vincent Brooks, janë midis kandidatëve që do të marrin postin e rëndësishëm në Korenë e Jugut. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se këtë informacion Kim e ka ndarë edhe me Presidentin, Bajram Begaj, gjatë takimit të zhvlluar të martën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
Braçe paralajmëroi lënien e mandatit të deputetit, Rama: Ai është gjithmonë i pranishëm tek unë! S'ka nevojë për ndërhyrje mes nesh

 

Në konferencën për mediat, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos komentojë paralajmërimin e Erion Braçes për lënien e mandatit të deputetit.

“Ai vërtet nuk është i pranishëm këtu por është gjithmonë i pranishëm tek unë. Nuk ka nevojë për ndërhyrje mes meje dhe Erion Braçes”, tha Rama.

Ora 18:27
Akuzat për Ahmetajn, Rama: Nëse dikush këput dardha për t’i futur në trasta pas shpinës time, kjo është një çështje që ka të bëjë me drejtësinë

 

I pyetur mbi akuzat që janë bërë mbi ish zëvendës kryeministrin, Arben Ahmetajn sa i takon inceneratorëve, kryeministri Edi Rama tha se do të kishte një prononcim për këtë çështje në momentin që do të përfundonin hetimet e SPAK.

Ai përsëriti deklaratën e tij të mëparshme, ku tha se nuk mbante përgjegjësi për veprime që mund të bëhen pas shpinës së tij.

"Respekti im për median në raport me të vërtetën është i mirënjohur. Media është e dyndur nga gjysmë të vërteta. Në rastin konkret bëhet fjalë për diçka, një denoncim që një individ i caktuar ka bërë në SPAK. Ne as për njerëz që janë kundër PS as për ish kryeministrja etj etj, nuk e kemi zakon të prononcohemi. Unë të gjitha që thuhen në media i marr me shumë rezervë. Të vërtetat individuale të gjithësecilit, janë individuale. Janë tre vepra, në Fier, në Elbasan dhe në Tiranë për të cilat 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do thoja se duhej të ishin bërë. Ajo e Elbasanit, është pronë e komunitetit tanimë, ajo e Fierit është e destinuar të jetë pronë e komunitetit. Ajo e Tiranës e ka shpëtuar kryeqytetin nga plehrat. Nëse ne nisemi në betejë dhe rrugës dikush këput edhe dardha e mollë për t’i futur në trasta pas shpinës time, kjo është një çështje që ka të bëjë me drejtësinë. Nuk mund të bëhen spekulime dhe komente mbi copa të dhënash të cilat janë të gjitha për t’u hetuar. Kur të hetohen dhe nëse do ketë një vendim mbi to, atëherë unë do flas përsëri siç kam folur gjithmonë”- u shpreh Rama.

Ora 18:20
Rama përfundon mbledhjen me drejtuesit politik të PS në qarqe: Ka nisur planifikimi i fitores, kemi gati patronazhistët

 

Në përfundim të mbledhjes me drejtuesit politik të PS në qarqe, kryeministri Edi Rama tha se ka filluar puna për zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Ka filluar faza e planifikimit të fitores. Kemi gati patronazhistët, kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne kemi praktikën tonë duke bërë konsultim të kryqëzuar. Bëjmë konsultim me partinë. Po ashtu edhe me vlerësimin e kryetarëve aktualë, sepse kemi të gjitha bashkitë duke bërë një analizë shumë më të mirë”, tha Rama.