Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un është shfaqur me vajzën e tij të vogël në publik për herë të parë, duke konfirmuar raportet e përfolura gjatë për ekzistencën e saj. Vajza, që besohet se quhet Kim Chu-ae, iu bashkua atij në një inspektim të lëshimit më të madh të raketës balistike ndërkontinentale të vendit të premten, raporton CNN.
Ata qëndruan dorë për dore gjatë testit, po ashtu shfaqen ndërsa bisedojnë me zyrtarët, inspektojnë raketat dhe shikojnë lëshimin e tyre. Fotot u publikuan nga agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA. Paraqitja publike e Chu-ae është e rëndësishme, tha Michael Madden, një ekspert i Koresë së Veriut nga Qendra Stimson në Uashington.
Kim, e cila është gjenerata e tretë në familjen e tij që udhëheq Korenë e Veriut, po u tregon elitave në vendin e tij se ai ende ka një kontroll të fortë mbi pushtetin, tha Madden. Ai tha se kjo mund të jetë mënyra e Kim për të treguar “se gjenerata e katërt e pasardhësve të pushtetit do të vijë po përmes linjës sime të gjakut”.
Madden tha se Chu-ae është sot 12 -13 vjeç, që do të thotë se në rreth katër deri në pesë vjet ajo do të përgatitet për të shkuar në universitet ose në shërbim ushtarak. Mendohet se Kim mund të ketë deri në tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, ku më e madhja është Chu-ae. Japonia paralajmëroi pas lëshimit të premten se raketa e re dukej se kishte rrezen e mundshme për të arritur në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Kim tha se testi kishte për qëllim "të demonstronte qartë" aftësinë e vendit të tij për t'iu përgjigjur asaj që ai i quajti "stërvitjet e luftës histerike të agresionit nga armiqtë që kërkojnë të shkatërrojnë paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean".