“Çfarë po u premtoni votuesve, kur sponsori juaj është caktuar non grata nga SHBA për korrupsion?”, kjo ishte pyetje me të cilën e ka nisur mëngjesin e sotëm ambasadorja amerikane Yuri Kim duke iu drejtuar kandidatëve të Sali Berishës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Ambasadorja ka thumbuar ashpër groteskun politik të kërkesës së kandidatëve për një votë nga qytetarët nga njerëra anë dhe “goditjen” që ka marrë nga ana tjetër për korrupsion “kreu” i tyre nga SHBA, duke e konsideruar si një absurditet.

Kim ka zgjedhur të bëjë këtë deklaratë të fuqishme përmes pyetjeve.

“Kush do t’iu zotërojë nëse fitoni?”, pyet ajo, duke nënkuptuar se edhe nëse ata fitojnë ndonjë bashki më 6 mars, do të jenë pa drejtues,  pasi Sali Berisha është i vdekur politikisht dhe i shpallur non grata nga SHBA.

“Çfarë duhet të presin shqiptarët?”, theksoi Kim në mënyrë retorike, duke i dhënë në një farë mënyre përgjigje përmes pyetjes, se nuk kanë se çfarë të presin dhe të marrin nga një non grata. “Çfarë duhet të presin SHBA?”, shprehet Kim kur vetë SHBA e ka shpallur “liderin” e kandidatëve “person jo të mirëpritur” ose ndryshe non grata për korrupsion dhe minim të demokracisë.

"Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i caktuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t'ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t'i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?", shkruan Kim.

Në një reagim zyrtar, Komisioni i Rithemelimi, i udhëhequr nga Sali Berisha i ka kërkuar ambasadores amerikane që mos të ndërhyjë në procesin zgjedhor, ndërsa shton se ndërhyrjen janë të njëanshme dhe në favor të qeverisë më të korruptuar të Evropës. Berisha nëpërmjet Grupit të Rithemelimit, i kërkon diplomates amerikane që të tërheqë deklaratën, e cila sipas tyre është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Për Gazment Bardhin,  deklarata e Yuri Kim ishte edhe një mesazh për Vangjush Dakon dhe Tom Doshin, teksa reagimin e Berishës e konsideroi si solidarizim me të dy ata.

Më 19 maj 2021 SHBA e shpalli Sali Berishën "non grata" për minimin e demokracisë dhe korrupsion. Shpallja "non grata" nga SHBA solli dhe përjashtimin e  Sali Berishës nga PD, i cili nisi një luftë më këtë të fundit për të marrë me dhunë selinë blu. Duke mos ia dalë të marrë PD, Berisha vendosi që të marrë pjesë në zgjedhjet e 6 marsit duke bërë koalicion me LSI nën emrin "Shtëpia e Lirisë". Edhe pse KQZ nuk e regjistroi Berishën si pjesë të koalicionit, janë kandidatët e zgjedhur nga primaret e Berishës që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashkitë e vendit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:52
Gazment Bardhi: Sulmi i Berishës ndaj SHBA, solidarizim me Vangjush Dakon dhe Tom Doshin

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas sulmit të Seli Berishës ndaj SHBA-së pas pyetjes që ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, i kishte drejtuar kandidatëve të Berishës për zgjedhjet e 6 marsit. Për Bardhin mesazhi i Yuri Kim ishte edhe për Vangjush Dakon dhe Tom Doshin, teksa shton se deklarata e Berishës ishte një solidarizim me të dy ata.

"2 nga 3 palët në këto zgjedhje, PS dhe “Shtëpia e Ilirit” kanë mbrapa njerëz të shpallur non grata nga SHBA për korrupsion. Vangjush Dako është shefi politik dhe drejtuesi i fushatës së kandidates së PS në Durrës. Tom Doshi, është shefi politik dhe drejtues i fushatës së kandidates së PS në Shkodër. Sali Berisha është shefi politik i 6 kandidatëve të tjerë të Shtëpisë së Ilir Metës. Sulmi i sotëm ndaj SHBA është solidarizim me non gratat e Edi Ramës. Hall i përbashkët, sjellje e përbashkët!", shkruan Bardhi.

Ora 14:53
Berisha i përgjigjet Yuri Kim dhe i 'kërkon të tërheqë deklaratën': Po bën shkelje flagrante duke ndërhyrë në zgjedhje! Thirrjet në favor të qeverisë së korruptuar

Komisioni i Rithemelimit, i udhëhequr nga Sali Berisha ka reaguar pas pyetjes që ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, i kishte drejtuar kandidatëve të Berishës për zgjedhjet e 6 marsit. Grupi i Rithemelimit, i bën thirrje ambasadores që të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor, ndërsa shton se ndërhyrjen janë të njëanshme dhe në favor të qeverisë më të korruptuar të Evropës.

Berisha nëpërmjet Grupit të Rithemelimit, i kërkon diplomates amerikane që të tërheqë deklaratën, e cila sipas tyre është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

‘Ndërkohë që fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit ka nisur zyrtarisht, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë sot në Tëitter ndërhyrjen e saj të radhës, në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit, në mbështetje narkoqeverisë së Tiranes. Ajo, defacto, ju ka bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni I konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europes.

 Mbi të gjitha, kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me Nenin 41 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, nënshkruar në vitin 1961 në të cilën edhe Shqipëria është palë. Neni 41 pika 1 thotë shprehimisht: “Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyrë e çdo personi që gëzon këto privilegje dhe imunitete të respektojë ligjet dhe rregullat e shtetit pritës. Ata gjithashtu nuk kanë të drejtë të përzien në çështjet e brendshme të atij Shteti.”

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson se shqiptarët hedhin poshtë luftën me lobingje korruptive dhe pa fakte kundër korrupsionit si nji praktikë që ndihmon korrupsionin.

Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara.

Komisioni dënon cdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Europës, që cdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre, dhe sponsorizimi i një opozite fasade misioni i vetëm i se cilës është vrasja e shpresës duke bërë pazare me qeverinë.

Së fundi, Komisioni deklaron se sponsorizuesi dhe llogarimarrësi i vetëm i kandidatëve të “Shtëpise së Lirisë” është populli opozitar që refuzon të pranojë se alternativa e vetme ndaj Edi Rames është bari që ofron znj. Kim.

Është ky popull që i perzgjodhi këta kandidatë dhe po ai do t’i votojë. Nesër, kur ata të jenë fitues, detyrimi i vetëm I tyre nuk do jete as ndaj liderëve politike dhe aq me pak ndaj diplomatëve në shërbimin e Edi Ramës, por vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë!’- njofton komisioni i Rithemelimit.

Ora 14:04
Deklarata e Yuri Kim mërzit Edi Palokën, sulmon ambasadoren: Ti po thua që shqiptarët të votojnë Ramën? Ju po të prishni miqësinë me SHBA

1636979889_PALOKA.jpg

Deputeti Edi Paloka, i rreshtuar krah Sali Berishës në fraksionin që ai ka krijuar, i është përgjigjur ambasadores Yuri Kim për deklaratën që kjo e fundit bëri sot. Kim pyeste kandidatët e Berishës për 6 marsin se çfarë u premtonin ata qytetarëve kur “sponsorin” e kanë non-grata.

"Pra sipas jush zonja ambasadore, shqiptarët duhet të votojnë kandidatet e këtyre…?!! Këta shqiptarët i njohin mirë po dhe ju zonjë, sikur vetëm skandalin e fundit të inceneratorëve të kishit ndjekur, do e dinit po aq mirë se kush janë të korruptuarit e kryekorruptuarit në këtë vend. Vërtetë nuk e kuptoni se kështu nuk po bëni gjë tjetër, veçse po dëmtoni imazhin e vendit që përfaqësoni përpara një populli që atë vend  e adhuron pikërisht për vlerat dhe parimet që përfaqëson e jo vetëm për historinë që na lidh?! Keni thënë dikur se ka nga ata që përpiqen të prishin marrëdhëniet midis SHBA dhe shqiptarëve! Po ju them sot, se askush me shumë se ju nuk po përpiqet ta bëjë një gjë të tillë duke u vënë në krah të një qeverie që vetë Departamenti juaj i Shtetit e ka cilësuar si më të korruptuarën në rajon",  

Ora 11:05
Pas mesazhit për kandidatët e Berishës, Yuri Kim i kujton shqiptarëve 4 'non grata-t' e SHBA-ve

Pas mesazhit të prerë që kishte për të 6 kandidatët e Sali Berishës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim i ka kujtuar edhe një herë shqiptarëve 4 personat që janë shpallur 'non grata' nga SHBA.

"Kujtesë: Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar publikisht katër persona në Shqipëri sipas Nenit 7031(c)", shkruan Kim.

Përvecc Berishës, ambasadorja i referohet ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, ish-kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako dhe ish-deputetit Tom Doshi.