Ambasadorja e SHBA-Yuri Kim ka zhvilluar një takim me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Vetë ambasadorja ka treguar se për çfarë ka folur me ministrin e ri, teksa është shprehur e kënaqur për faktin që Çuçi ka urdhëruar nisjen e hetimeve për trajtimin e protestuesve nga policia.
Ndër të tjera ajo bën me dije se gjatë takimit kanë diskutuar dhe për rolin e Ministrisë së Brendshme në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.
Përmes një postimi në Twitter, ajo shkruan se kanë rënë dakord për të forcuar bashkëpunimin për sigurinë dhe zbatimin e ligjit.
"U takova me me Bledi Çuçin për t'i uruar suksese në detyrën e re si Ministër i Brendshëm. Më vjen mirë që dëgjova se ai ka urdhëruar për të hetuar trajtimin e protestuesve. E drejta e protestës paqësore duhet të respektohet. Gjithashtu diskutuam rolin e Ministrisë së Brendshme në zgjedhje. Ne ramë dakord për të forcuar bashkëpunimin për sigurinë dhe zbatimin e ligjit" - shkruan Kim.
Mbrëmjen e djeshme, Ministri Çuçi në një emision televiziv është shprehur se ka nisur një hetim për punonjësit e policisë të cilët u përfshinë në shoqërimin e 4 aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Ministri tha se qytetari është i paprekshëm dhe po ashtu dhe polici, dhe se ai është në mes që të rregullojë pikërisht këtë gjë.