PEKIN - Pekini u shpreh shumë i zhgënjyer nga refuzimi i Kongresit amerikan për të miratuar këtë vit reformën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do t'i mundësonte Kinës rritjen e influencës brenda institucionit.

"Kina është thellësisht e zhgënjyer nga refuzimi i Kongresit amerikan për të miratuar reformën e vitit 2010 të financimit nga FMN", deklaroi Hong Lei, zëdhënës i diplomacisë kineze në një konferencë shtypi.

Që prej disa vitesh Kina synonte të kishte më shumë peshë në FMN. Shtetet anëtare të FMN-së ranë dakord, në dhjetor të vitit 2010, për një sërë reformash përsa i përket kontributit dhe qeverisjes së organizatës. Por hyrja në fuqi e tekstit mbeti në pritje të dritës së gjelbër nga SHBA.

Ligji i financave, për të cilin Kongresi amerikan duhet të votojë në ditët e ardhshme dhe që përbën mundësinë e fundit për mbështetësit e FMN-së, nuk përmban nënpika që do të mundësonin ratifikimin e reformës./ATSH/