1762166626_testnuklerarekina.JPG

Kina ka mohuar se ka kryer teste me armë bërthamore, pasi presidenti amerikan Donald Trump, duke mbrojtur vendimin e tij për të rifilluar testet bërthamore, deklaroi në një intervistë për CBS se “edhe Rusia dhe Kina po kryejnë teste, por nuk flasin për to”. Lajmi raportohet nga Global Times.

Në përgjigje të kërkesës për koment mbi fjalët e Trump-it, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, “deklaroi se, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe si një shtet bërthamor përgjegjës, Kina është e angazhuar për zhvillim paqësor” dhe “theksoi se Kina i përmbahet politikës së ‘mos përdorimit të parë’ të armëve bërthamore, ruan një strategji bërthamore mbrojtëse dhe ka respektuar rreptësisht angazhimin e saj për pezullimin e testeve bërthamore,” raporton Global Times.

Zëdhënësja e diplomacisë kineze, gjithashtu, “deklaroi se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha palët për të mbështetur autoritetin e Traktatit për Ndalimin e Plotë të Testeve Bërthamore (CTBT) dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të çarmatimit dhe mos-përhapjes bërthamore.”
Ajo gjithashtu “shprehu shpresën që Shtetet e Bashkuara të respektojnë seriozisht detyrimet e tyre sipas CTBT-së dhe angazhimin për një ‘moratorium të testeve bërthamore’, si dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të mbështetur kuadrin ndërkombëtar të çarmatimit dhe mos-përhapjes bërthamore, duke ruajtur ekuilibrin strategjik dhe stabilitetin global,” përfundon raportimi i Global Times.


Lajmi kryesor:

Lufta në Ukrainë/ Trump: S’kam ndërmend të dërgoj raketa Tomahawk! Do të gjejmë një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit