Pesë persona kanë gjetur vdekjen dhe 32 persona janë plagosur, pas një aksidenti që ndodhi në orët e para të së premtes në Hong Kong. Sipas “The Telegraph”, aksidenti i rëndë ndodhi konkretisht në ishullin e Tsing Yi, që është i lidhur falë një autostrade me aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut në ishullin fqinj Lantau.
Vdekja e pesë personave dhe plagosja e 32 të tjerëve u shkaktua nga përplasja e fuqishme e një autobusi, që transportonte punonjës në aeroportin ndërkombëtar, me një taksi të ndaluar në stacionin e saj përkatës.
Sipas të njëjtës media, të plagosurit përpara se të dërgoheshin nëpër 4 spitalet e ndodhura pranë, u trajtuan fillimisht anës rrugës ku ndodhi aksidenti.
Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe në shkurt në Hong Kongun verior, ku një shofer autobusi për shkak të tejkalimit të shpejtësisë shkaktoi vdekjen e 19 personave dhe plagosjen e 60 të tjerëve. Aksidenteve tragjike i shtohet edhe ajo e vitit 2003, kur një autobus dykatësh u përplas me një kamion dhe ra nga një urë, duke vrarë kështu 21 vetë dhe duke plagosur 20.