PEKIN - Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping u takuan sot në mbrëmje në prag të samitit të APEC-ut dhe nënshkruan 17 marrëveshje bashkëpunimi për gazin natyror rus, përfshirë një memorandum për shpërndarjen e gazit rus drejt Kinës nëpërmjet Siberisë, sipas agjencive të lajmeve.

Marrëveshje të tjera të nënshkruara në prani të dy presidentëve përfshinë edhe memorandumin e mirëkuptimit reciprok mes kompanisë ruse "Gazprom", më e madhja në botë për gazin natyror, dhe kompanisë "China National Offshore Oil Corporation" (CNOOC Group).

"Dy palët premtuan zgjerimin e bashkëpunimit, pavarësisht sfidave në arenën ndërkombëtare", sipas agjencisë ruse të lajmeve, Itar-Tass.

"Çfarëdo ndryshimesh të ndodhin në arenën ndërkombëtare, ne duhet të ndjekim rrugën që kemi zgjedhur, duhet të zgjerojmë dhe zhvillojmë bashkëpunimin e plotë dypalësh", deklaroi presidenti kinez, Xi Jinping.
"Bashkëpunimi Rusi-Kinë ka rëndësi të jashtëzakonshme", theksoi ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, po sipas Itar-Tass-it./ATSH/