Kjo foto e bërë nga Bashkim Asllani i përket vitit 1997 kur “Drita” ishte në ndërtim e sipër.

Ka qenë viti 1996 kur për herë të parë “u ngjiz” ideja për krijimin e një kinemaje të re, e cila përfundoi së ndërtuari në vitin 2000 dhe u pagëzua me emrin “Drita”.
Një nismë e ish-drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Natasha Lako, ajo funksionoi për vite me rradhë si kinema e brendshme e Arkivit.
Në të promovoheshin filmat e fondit arkivor, ajo shërbente si një pikë për edukimin e publikut, ndërsa iu bënte homazh figurave të kinematografisë shqiptare, si dhe ishte një hapësirë edhe për studiuesit që frekuentonin Arkivin.
Me kalimin e viteve në këtë hapësirë janë mbajtur edhe shumë premiera filmash shqiptarë përfshirë edhe filmat e restauruar, ndërsa së fundmi kinema “Drita” dhe vetë Arkivi i Filmit janë shndërruar në një pol të vizitueshëm, së shumti nga turistët e huaj, të interesuar të mësojnë më shumë për kinematografinë e realizmit socialist.
Nga sot, kinema “Drita” i shtohet hartës së Tiranës, si një pjesë e re turistike,
“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njofton sistemin e ri të tarifave, që vendoset për herë të parë, për vizitorët dhe publikun që ndjek shfaqjet në këtë kinema.”, thuhet në një njoftim nga AQSHF.
Arkivi ka publikuar dhe tarifat e biletave për shfaqjet në kinema “Drita”: 100 lekë për fëmijë deri në 18 vjeç, 200 lekë për të rritur, 300 lekë për vizitorë (guida në AQSHF) dhe 500 lekë për vizitë dhe shfaqje filmi. Ndërkohë, të interesuarit mund të përdorin mjediset e kinema “Drita” për aktivitete të ndryshme kundrejt qirasë së sallës 20.000 lekë në orë.

Së shpejti do të bëhet publik dhe programi me filma që do të shfaqen. Deri më tani gjithshka ka funksionuar sipas kërkesave të grupeve të interesuara, shkolla dhe kopshte që kërkonin shfaqjen e filmave të vjetër për fëmijë dhe prodhimet e animuara shqiptare, apo qoftë dhe grupe nostaligjikësh të kinemasë së dikurshme që kërkonin një film të caktuar.
Përmes Kinema Drita, vizitave të shpjeguara dhe programeve të posaçme, publiku ka mundësinë të zbulojë nga afër trashëgiminë e filmit shqiptar dhe historinë e saj unike. Tarifat e reja dhe oraret e vizitave synojnë ta bëjnë këtë pasuri kulturore më të aksesueshme, duke e kthyer AQSHF-në në një hapësirë aktive dialogu mes arkivit, qytetit dhe publikut.
Komente












