Edhe pse renditet ndër objektet fetare, pjesë e trashëgimisë kulturore me statusin e Monumentit të Kulturës, Kisha e Shën Gjergjit në Strumë të Roskovecit, po degradohet dita-ditës.
E premtuar prej vitesh për t’u rikonstruktuar, por pa u realizuar ndonjëherë, ky objekt i veçantë kulti daton në vitin 1782. Prej vitit 1970, objekti renditet në inventarin e monumenteve të kulturës, ç’ka sërish nuk ka ndikuar që Ministria e Kulturës të investojë.
Aktualisht, objekti 240 vjeçar rrezikon shembjen e plotë, sipas kryebashkiakes së Roskovecit. Majlinda Bufi shton se edhe pse çdo vit është vendosur ndër prioritetet e investimeve, ende nuk ka një vendim konkret.
“Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet, kemi dërguar shkresa dhe e kemi vendosur në listën e prioriteteve për t’u investuar, por ende nuk kemi një investim nga Ministria e Kulturës', tha Majlinda Bufi, kryetare e Bashkisë Roskovec.
Për shkrimtarin dhe studiuesin Maksim Zarka, kjo bazilikë, monument kulture i kategorisë së parë, mbart dëshmi të shumta të kulturës tonë materiale.
“Kjo kishe e knsideruar nga studiuesit si bazilike ka vlera të veçanta kryesisht për mbishkrimet, kjo e dokumentuar dhe nga mikshkrimet kishtare. Investimi do të ishte shumë i mirpritur”, tha Maksim Zarka, shkrimtar dhe studiues.
Edhe pse objekt kulti nën mbrojtjen e shtetit, Kisha e Shën Gjergjit në Strumë të Roskovecit po venitet në fatin e saj të hidhur, duke u zhdukur përpara syve të të gjithëve.
Komente








