Reagimet për protestën e Partisë Demokratike kanë deri tani tre linja. Ajo e zyrtarëve të PD pranë Sali Berishës, ajo e zyrtarëve të mazhorancës dhe ajo e zërave kritikë me Berishën që thonë se nuk arrihet asgjë me këto fotokopje të protestave si në kohën e Lulzim Bashës.

Në fakt, kritikët kanë mjaft arsye për ta shtruar idenë e tyre të mosefektivitetit të kësaj forme që tashmë është kthyer në një meme 13 vjeçare e opozitës ndaj Edi Ramës.

Megjithatë, pyetja shrohet spontane, se përse ndiqet një rrugë, e cila nuk ka sjellë efektivitet në të shkuarën?

Protestat e dhunshme në botë nuk janë të panjohura, apo spontane që vetëm si reagime të grupeve apo organizatave margjinale dhe ekstreme.

Grupet politike ekstreme të së majtës apo të djathtës, së bashku me pjesët devijante të tyre, kanë praktikuar jo vetëm protestat e dhunshme, pore dhe luftën e armatosur, apo aktivitetin e pastër terrorist.

“Le Brigatte Rosse” në Itali apo RAF(Rote Armee Fraktion) ishin formacione politike, të cilat në radhë të parë ishin antagoniste me partitë komuniste përkatëse dhe natyrisht me sistemin. Por me kalimin e kohës, ata u kthyen në formacione militare të pastra që bashkëpunuan me organizata terroriste në mbarë botën, duke hyrë në biznes, për punën që u bënë mjeshtra ta bënin mirë: vrasjen, kaosin, dhunën.

Megjithatë, ka edhe mjaft organizata të tjera paralele në botë, sidomos vitet e fundit, kur segmente organizatash parapolitike që kanë mbështetje në terren, kryejnë manifestime të forta, madje edhe të dhunshme.

Janë organizata studentore, organizata identitare, por edhe ideologjike, të cilat i kemi parë që kanë sjellë një nxitje politike në zgjedhjet e radhës.

Protestat e AntiFA në SHBA pas vrasjes së George Floyd në vitin 2020 nga policia në Mineapolis, nxitën një sërë protestash të ashpra, pore dhe lëvizje popullore, të cilat më pas sollën një dalje masive në zgjedhjet presidenciale të atyre grupeve të popullsisë, të cilët në 2016 nuk votuan kandidaten e Partisë Demokratike Hillary Clinton.

Në Europë, ka mjaft shembujsh të organizmave sindikalë apo shoqërorë që kanë pasur efekte politike në zgjedhjet e radhës. “Jelekët e verdhë” që terrorizuan Parisin, nuk ishin gjë tjetër veçse katalizatorë të rritjes së majtës ekstreme në Francë, e cila tashmë është një forcë determinante e vendit, etj etj.

Qëllimi i këtyre protestave, nuk është gjë tjetër veçse një demonstrim force në shoqëri për të dhënë një mesazh, për të kërkuar një reagim politik shoqëror ndaj statusquo-së.

Të gjithë i dijnë se kush qëndron prapa, apo kush i përkrah ata njerëz të dhunshëm që trazojnë shoqëritë përkatëse, por partitë politike distancohen menjëherë ndaj këtyre akteve.

Në Itali, një organizatë e ekstremit të djathtë që mban emrin e poetit Ezra Paund, i njohur si simpatizant i fashizmit, përkatësisht Casa Pound, është një grup mjaft i dhunshëm dhe problematik në shoqëri. Ka kryer protesta të dhunshme, ka sulmuar emigrantë dhe kryer krime të tjera. Gazetarë dhe zëra në opinion kanë akuzuar partinë e Giorgia Melonit, Fratelli D’Italia se Casa Pound është një grup brigatistëve i kësaj partie. Por vetë drejtuesit e Fratelli D’Italia janë distancuar gjithmonë ndaj akteve të dhunës.

Rezultantja e të gjithë këtyre lëvizjve margjinale në shoqëri të mëdha e të ndara qoftë në SHBA apo Europë, ku ka komunitete të mëdha dhe të diversifikuara, është se në një mënyrë apo tjetër, grupet e mëdha politike përfitojnë nga vota e asaj pjese ekstreme që nuk është elektorat i përhershëm dhe integral.

Grupe të ndryshme ekonomike, të cilët kërkojnë një akses në politikë, siç është vërtetuar, financojnë këto grupe, duke e mbuluar me ndihmën ndaj komuniteteve të margjinalizuara, për tu bërë faktor.

Shpesh, partitë klasike, apo partitë e reja “sovraniste” e populiste që mbinë në dekadën e fundit, për të depërtuar në politikë krijojnë aleanca fluide që të bëhen faktorë.

Giorgia Meloni, në zgjedhjet e vitit 2018 mori 4%. Në krye atëherë ishin popuistët e 5 Yjeve, për financimin e të cilëve u fol shumë. U tha se kishte kanale kineze, ruse, apo edhe nga vendet arab. Hetimet ndaj të cilave kanë nisur javët e fundit nga prokuroria në Itali.

Para zgjedhjeve të 2022-shin, Meloni u mor në kujdestari nga ajka e industrisë italiane, që ndërtuan një aleancë të gjerë politike, duke i mbështetur dhe financiarisht, e që siguuroi fitoren në zgjedhje.

Ndërsa protestat e përdorura nga Sali Berisha, janë të gjitha të organizuara nga aparati i tij, madje deri në detaj. Edhe molotovët hidhen ndaj kryeministrisë dhe policëve, pikërisht kur kreu i PD ngre flamurin, xha Sulo me mustaqet te “Kapedani”.

Synimi i Berishës, mbetet i njëjtë ashtu si në kohën e Lulzim Bashës. Forma dhe përmbajtja e këtij modeli, nuk tregon gjë tjetër veçse emrin real të regjizorit. Ato protesta, pra në kohën e Lulzim Bashës, nuk patën një sukses tek votat, edhe pse në 2021 opozita kishte një rritje relative. Por atë e pati nga bashkimi i disa faktorëve politikë brenda PD-së, si një shpresë për ndryshim politik si brenda forcës politike, por edhe në listën e deputetëve, apo qeverisë nëse ndodh.

Megjithatë, këto aksione e mbajnë një lloj protagonizmi drejt lidershipit dhe afron popullin përkrahës për të qenë në një linjë. Por këto nuk mund të jenë të përhershme, pasi humbja e 2021 ishte në fakt thyerja e nervave të elektoratit ër një ndryshim. Kurse rikthimi i Sali Berishës nuk është gjë tjetër veçse një restaurim i statusquo-së pas 2013-s. Ndaj dhe efekti është i duksëm dhe duket në çdo zgjedhje apo sondazhi, ku Berisha nuk bie nga perceptimi negativ me 70%.

Megjithatë ai vijon të drejtojë, të jetë faktor drejtues, pasi të gjithë ata që i janë bashkuar dhe i bashkohen statusquosë kanë ilizionin se mund të ndryshojnë statusquo-në e mazhorancës së Edi Ramës. Dhe kështu kemi një përplasje statusquo-së që bëhen herë të mërzitshme e herë të dhunshme, por shpesh shkrihen e ngjizen me njëra-tjetrën./Tema